Arbëri

Fushë-Kosova miraton në lexim të dytë Rregulloren që e shton numrin e drejtorive

Ka kaluar edhe në lexim të dytë Rregullorja që do ta shtojë numrin e drejtorive në Komunën e Fushë-Kosovës.

Nga 11 drejtori sa i ka aktualisht kjo komunë, pas funksionalizimit të Rregullores për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale pritet të shtojë edhe 3 drejtori. Do të shtohen Drejtoria për Infrastrukturën Lokale, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria për Teknologji, Inovacion dhe Integrime Evropiane.

Por, zyrtarët e dy partive opozitare LVV e PDK nuk e kanë përkrahur iniciativën e ekzekutivit komunal. Këshilltari nga radhët e VV-së, Shpend Bardiqi, i ka thënë KOHËS se nuk kanë marrë fare pjesë në votimin e kësaj pike gjatë seancës që është mbajtur të martën, pasi nuk ishin marrë parasysh rekomandimit e Komitetit për Komunitete.

“Në mbledhjen e fundit të Komitetit për Komunitete rekomanduam që të kemi një drejtori të re dhe ajo të jetë Drejtoria për Komunitete, dhe propozuam që një nga tri drejtoritë e propozuara nga ekzekutivi ajo për Inovacion dhe Integrime Evropiane të bashkohet me Drejtorinë për Arsim kurse Drejtoria për Komunitete të jetë drejtori e veçantë. Mirëpo kjo u refuzua nga ekzekutivi dhe nuk u mor parasysh rekomandimi i Komitetit për komunitete”, ka thënë Shpend Bardiqi. “Për ne ka qenë më e udhës që të themelohet Drejtoria për Komunitete sesa ajo për Integrime të cilën e votoi pushteti. Problemet që kanë komunitetet në Komunën tonë janë elementare e me nevoja bazike të paplotësuara prej pushtetit. Prandaj një drejtori për komunitete do kishte pasur potencial për rregullimin e tyre, kurse për integrimet evropiane tashmë kemi zyrtar në Komunën tonë që merret me këtë çështje dhe besoj se ajo mjaftohet me kaq”.

Sipas këshilltarit të LVV-së kjo rregullore nuk ishte për zhvillim, por sipas tij, ishte për të përmbushur pazaret politike të pushtetit me subjektet në koalicion.

“Prandaj ne nuk morëm pjesë fare në votim sepse nuk u morën parasysh rekomandimet e Komitetit”, ka thënë ai.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla, ka thënë se këto drejtori po themelohen vetëm për pazare politike.

“Me votat e pozitës sot kaloi në lexim të dytë Rregullorja për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale. Ne opozita ishim kundër. Qëndrimi jonë mbetet i njëjtë që këto drejtori po bëhen si rezultat i pazareve politike gjatë fushatës dhe mënyra qysh po bëhen veç me një vendim krijon një precedent që në të ardhmen të rritet numri i drejtorive sa herë që të kemi zgjedhje”, ka thënë këshilltari Qyqalla.

Por, u shprehën zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës.

Nënkryetari Fadil Krasniqi i ka thënë më herët KOHËS se themelimi i këtyre drejtorive do të duhej të themeloheshin edhe më herët.

“Fushë-Kosova nuk është më qyteti që ka qenë ose komuna që ka qenë më herët, për arsye se është një komunë duke u zhvillua në mënyrë shumë dinamike. Prandaj janë të domosdoshme që të themelohen edhe këto tri drejtori. Ju e dini që Fushë-Kosova është një qytet shumë dinamik, i cili ka rrugë të shumta, ka trotuare të shumta, ka edhe kanalizime e ujësjellës dhe që duhet faktikisht për çdo vjet të ndërtojmë objekte të reja dhe të bëhet dhe mirëmbahet një infrastrukturë si duhet”, ishte shprehur Fadil Krasniqi.

Megjithatë, këtë iniciativë, komuna e kishte nisur jashtëligjshëm, pasi kishte anashkaluar Statutin e Komunës dhe Rregulloren për organizimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të administratës komunale, duke tentuar që shtimin e këtyre drejtorive ta bëjë vetëm me një vendim. Kjo ishte përpjekje ishte shpallë e jashtëligjshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke e detyruar Komunën e që të bëjë plotësim-ndryshimin e Rregullore së lartcekur.