Arbëri

Jeta nën tym, banorë të lagjes “Ali Ibra” në Gjakovë ankohen se s’po trajtohen si njerëz

Lagjja “Ali Ibra” në Gjakovë, e cila është e banuar nga pjesëtarë të komunitetit rom, prej dy ditësh jeton nën tymin që del nga një deponi bërlloku që e kanë afër. Edhe kur ka flakë në deponi, të rritur e fëmijë qëndrojnë në bërllok, me shpresën për të gjetur gjësende nga të cilat thonë se e sigurojnë jetesën. Banorët ankohen se shpesh deponia merr flakë dhe se Komuna nuk po e bën një zgjidhje dhe as nuk po i trajton si njerëz.

Tymi ka përfshirë gjithandej një zonë në lagjen “Ali Ibra” në Gjakovë. Prej dy ditësh, zjarrfikësit nuk ia kanë dalë që ta fikin plotësisht zjarrin. Ky është stacion transfer i mbeturinave në Komunën e Gjakovës, por banorët tregojnë se ato nuk shkarkohen në deponinë e Landovicës në Prizren, e për pasojë shpesh merr flakë.

Deponia ku do të duhej të vendoseshin vetëm përkohësisht mbeturinat ndodhet afër më shumë se 100 shtëpive, që i përkasin komunitetit rom.

“Qe sa vite na vuajmë me këtë bërllok. Nuk merret askush me ne. Veç kur të digjen mbeturinat kryetari i komunës jep urdhra për me ardhë zjarrfikësit me ndalë, se përndryshe kurrë nuk merret me ne hiç. Me i thanë kryetarit merri fëmijët e tu e lëri 5 minuta këtu, a i lë? Na si mos me kanë njerëz të Gjakovës, Kosovës, veç kur të ka votime…”, ka thënë banori Muharrem Kovaqi.

Flakët e tymi nuk përbëjnë pengesë për këta banorë, që edhe me fëmijë përpiqen ta sigurojnë jetesën nga bërlloku që hidhet në këtë deponi.

“Me te drejtë as na nuk guxojmë me hy këtu, po këta na lejojnë me hy për një kafshatë bukës. Domethënë kjo lagje është në hall. Shtëpitë janë shumë afër, ma merr mendja që gjithsecili njeri që është në këtë lagje me e dërgu te mjeku është i sëmurë”, ka deklaruar Përparim Krusha.

“Katastrofë. S’e di a jemi njerëz edhe ne a jo. Qe sa vite jemi me rrena. Së pari rrugën kryetari në kohë të zgjedhjeve e ka lanë qaty pa e rregullu. Na si popull nuk po dimë kah me shku ma, s’dimë çka me ba ma, me na e ba ndonjë zgjidhje me këto mbeturina. Krejt fëmijët i kemi të sëmurë me temperaturë”, ka thënë banori tjetër, Imer Krasniqi.

Në Policinë e Gjakovës thonë të mos kenë informacione për zjarrvënësit.

“Dje stacioni policor këtu ne Gjakovë ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur rastin që ju potenconi. Ne menjëherë jemi vënë në veprim, me ç’rast jemi në fazën fillestare të hetimeve në drejtim të zbardhjes së rastit”, ka thënë shefi i sektorit të hetimeve, Emin Hoxha.

Në Komunë nuk pranuan të flasin për këtë deponi, nën justifikimin se rasti tani është në prokurori. E zyrtarët e kompanisë së mbeturinave “Çabrati, ishin të paqasshëm.

Në opozitë në Gjakovë thonë se problemi është i moçëm dhe se ai nuk ka marrë zgjidhje shkaku i keqmenaxhimit të pushtetit lokal.

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ka hedhur dyshime edhe për abuzime financiare në emër të deponisë.

“Në vitin 2020 Qeveria e atëhershme i ka dhënë 450 mijë euro. Raporti i auditorit dhe raporte të tjera tregojnë se 200 mijë euro nuk dihet se ku kanë shkuar për shkak se nuk ka fatura. Është presupozuar me u pastru e gjithë deponia, por nuk është pastruar. Andaj ne si qeveri dhe si deputet të Gjakovës kemi kërkuar që të shtohen 250 mijë euro në buxhetin e këtij viti dhe është nënshkruar tanimë memorandumi i MAPL-së dhe Ministrisë së Ambientit me Komunën e Gjakovës që me fillu procedurat”, ka thënë ai.

Banorët e lagjes “Ali Ibra” në Gjakovë nuk kanë pritje se problemi me deponinë do të marrë shpejt zgjidhje. Sipas tyre, pushteti kthen kokën nga ta vetëm në kohë zgjedhjesh.