Arbëri

Lladrovci ndërhyn në kryesimin e seancës, votat numërohen keq

Descriptive Text

Seanca e së mërkurës në Kuvendin Komunal të Drenasit nisi me zotimin e kryetarit të kësaj komune, Ramiz Lladrovci, se nuk do të ketë ndërhyrje në votim. Vetëm pas një ore, kur deputetët e opozitës po braktisnin sallën, numërimi i gabueshëm i votave nga ana e tij tregoi rolin që Lladrovci po luante në këtë seancë. Rrëmuja që u krijua në votim u pa vetëm pas reagimit të asamblistit të PDK-së, Zeqir Hasi, i cili tha se s’ka kuorum të mjaftueshëm për të vazhduar seanca

“Ju ftoj që t’i votoni pikat e rendit të ditës, pastaj mund të vendosni për, kundër, është vendim juaji, nuk është vendim imi, imja është që t’i dërgoj proceset përpara dhe t’ia ofrojë Kuvendit për miratim ose jo. Nuk kërkoj ndërhyrjen e askujt se si të votoni dhe nuk do ta shihni këtë gjë tek unë”. Me këtë zotim e nisi seancën e 27 prillit të Kuvendit Komunal të Drenasit, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci.

Një orë pas, teksa deputetët e opozitës braktisnin sallën me pretendimin se po diskutoheshin tema që kanë konteste gjyqësore, ai merr rol në procesin e numërimit të votave për dy vendime shpronësimi të disa njësive banesore në këtë komunë.

“Të gjithë janë për, abstenim s’ka, kundër s’ka. 16 për, 22 ishin prezentë në sallë. Janë edhe ata që po dalin, ende janë në sallë. 16 prezentë, 16 për, të jemi të qartë”, tha Ladrovci.

Këtë numërim e pranoi kryesuesi Milaim Hajdari, por i demantoi bashkëpartiaku i tyre, Zeqir Hasi.

“Unë votova kundër, ju e numëruat sikur votova pro, dhe këtu kanë votuar 15 e ju i numëruat 16. Nuk jemi 16, edhe unë votova kundër, nuk ka kuorum për të vazhduar mbledhja”, u shpreh Hasi.

Pas një replike të shkurtër, Lladrovci e urdhëroi Hasin ta ndalë mikrofonin dhe nga ky çast asamblistët shkuan në pauzë mbi njëorëshe. Pas saj, u sigurua kuorumi.

Asamblisti opozitar, Arbër Halilaj, e kualifikoi si presion veprimin e Lladrovcit.

“Me formimin e komisioneve po tentohet që të anashkalohet në forma të ndryshme vendimi i plotfuqishëm gjyqësor, ndërsa sa u përket votave, janë bërë thirrje, presione të ndryshme që seanca të mos dështojë, sepse nuk ka pasur kuorum, janë thirrur asamblistët që gjithsesi të jenë prezentë”, pohoi Halilaj, asamblist nga subjekti “Green”.

Vërejtje ka edhe për ndërhyrjen e Lladrovcit në punën që me rregullore duhej ta bënte kryesuesi.

“Aty është një kryesues i cili e drejton seancën, sipas rregullores së Kuvendit Komunal dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje, sikurse të jetë dikush i gjithëdijshëm aty dhe që e ka përgjigjen për çdo problematikë”, shtoi Halitaj.

Për mënyrën e numërimit të votave në seancën e së mërkurës, kryesuesi Hajdari pati një shpjegim.

“Jam përgjegjës që Kuvendi të funksionojë në bazë të rregullores, në të kundërtën e kësaj, as unë nuk e toleroj as kryetarin Lladrovci, as askënd, që të krijojë konfuzion të tillë. Në asnjë mënyrë nuk e shoh si tentim për kontrabandë të vendimeve atë se çfarë ai thotë”, theksoi Hajdari.

E Lladrovci thotë të jetë legjitime thirrja për votimin e vendimeve të propozuara prej tij.

“Për secilin propozim-vendim që vjen nga unë, angazhohem me tërë qenien time të kalojë, sepse logjikshëm, në të kundërtën, nuk do ta kisha propozuar. Asnjëherë të vetme nuk ndalem së kërkuari mbështetje për propozim-vendimet që vijnë nga unë, është e drejtë legjitime imja që askush nuk mund të ma mohojë. Kjo, në anën tjetër, nuk do të thotë që t’i imponojë askujt asgjë. Në seancën e së mërkurës kam kërkuar disa herë që të votojnë çfarë të dëshirojnë, secili anëtar i Kuvendit, duke mos ndërhyrë në zgjedhjet e tyre, në preferencat e tyre dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme”, tha Lladrovci.

Neni 36 i Statutit të Komunës së Drenasit përcakton që kryesuesi i Kuvendit i kryeson mbledhjet. Një përgjegjësi e këtillë nuk i përshkruhet edhe kryetarit të Komunës.