Arbëri

Për një muaj Inspektorati në Lipjan shqyrtoi 617 inspektime të ndryshme

Descriptive Text

Inspektorati i Komunës së Lipjanit ka publikuar raportin e aktiviteteve për muajin mars të këtij viti derisa kanë intervenuar në qindra raste dhe inspektime të ndryshme, ndërkohë janë iniciuar dhjetëra fletëparaqitje për Gjykate ndaj shkelësve të ligjit.

Sipas raportit, janë inspektuar subjektet e ndryshme, por fokus i veçantë u është dhënë marketeve ushqimore, furrave të bukës dhe në biznese të ndryshme ku ka pasur rritje të çmimeve. Sipas raportit gjatë muajit mars janë bërë gjithsejtë 617 inspektime dhe punë të ndryshme, prej tyre 280 në fushën e biznesit, 87 inspektime në fushën e ambientit, 18 në fushën e ndërtimtarisë dhe 232 në trafik. Ndaj bizneseve dhe në fusha të tjera janë iniciuar gjithsej 131 procesverbale. Sipas raportit janë bërë edhe 49 inspektime të ndryshme me Policinë e Kosovës, janë realizuar 195 lëndë si punë me palë, ankesa dhe kërkesa. Janë shqyrtuar 61 lëndë si aktvendime, ndalesa dhe urdhëresa në fusha të ndryshme.

Raporti thekson se markete janë inspektuar në formën e krahasimit të çmimit “raft-arkë”, ndërsa në furra të bukës janë inspektuar peshoret e bukës.

“Kemi kërkuar certifikimin për kalibrime valide, flamujt që tregojnë origjinën e produktit. Për të gjitha parregullsitë e konstatuar me procesverbal kemi iniciuar procedurë kundërvajtëse pran Gjykatës Themelore në Prishtinë – dega në Lipjan. Po ashtu, gjatë muajit kemi inspektuar vazhdimisht tregjet: tregun e gjelbër, tregun e mobileve dhe gjerave jo ushqimore dhe tregun e kafshëve”, thuhet në raport.

Drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Flamur Sylejmani, nëpërmjet këtij raporti ka sqaruar se gjatë muajit mars është punuar shumë edhe për mbrojtjen e mjedisit derisa inspektorët vazhdimisht kanë qëndruar në terren duke i shqyrtuar ankesat dhe kërkesat e qytetarëve në të gjitha lokalitetet.

“Ankesat e qytetarëve gjatë këtij muaji ishin nga më të ndryshmet: mbylljet të rrjetit të kanalizimit, kundër zhurmës, ndotje (ndezje e zjarreve) dhe degradim të mjedisit. Në të gjitha rastet janë dhënë urdhëresa me procesverbal. E ndaj një personi fizik nga Gadimja e Ulët është iniciuar edhe Fletëparaqitje për Gjykatë, arsyeja degradim i ambientit, pasi që kishte dëmtuar pronën Komunale (pisha dhe drurë)”, ka thënë Sylejmani, në këtë raport.

Ai ka specifikuar se është punuar edhe në mbrojtjen e hapësirave publike nga dëmtimi në qytet, derisa gjatë inspektimeve janë vërejtur vetura të parkuara në pjesë gjelbëruese dhe janë njoftuar organet policore ndaj të cilëve janë marrë masa ligjore.

Image