Arbëri

VV-ja në Lipjan akuzon Ahmetin dhe zyrtarët e tij për sulme dhe kërcënime

Foto: Ilustrim

Aktivistët dhe asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti se i ka sulmuar dhe kërcënuar.

Përmes një njoftimit në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë ka njoftuar se të martën teksa po vazhdonin punimet në seancën e Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje u sulmuan nga Ahmeti dhe zyrtarët e tij.

Siç thotë VV-ja ata kanë shpifur e kërcënuar aktivistin Blerton Vehapi, i cili po merrte pjesë në seancën publike të Kuvendit.

“Në fakt, pezmi e zemërimi i Imri Ahmetit ndaj aktivistit Blerton Vehapi kishte filluar qysh në tetorin e vitit të kaluar, në ditën e zgjedhjeve, ku Ahmeti, para një mase të konsiderueshme të njerëzve, kishte përdorur gjuhë të urrejtjes dhe e kishte linçuar publikisht atë. Tendenca për ta përdorur intimidimin dhe kërcënimin ndaj një të riu 20-vjeçar, për t’ia shuar zërin, nuk i bën aspak nder një kryetari të komunës, i cili supozohet të kujdeset për të gjithë qytetarët pa dallim. Mësyerja e pakuptimtë që Imri Ahmeti ka ndërmarrë ndaj Blertonit e asamblistëve tanë, është skandaloze dhe si e tillë duhet të shihet me kujdes, sepse përbën një mesazh të qartë ndaj çdo të riu e të reje që aktivizohet politikisht e ka qëndrime të ndryshme me të”, thuhet në njoftim.

Siç thotë VV-ja, asamblistë të LDK-së e zyrtarë komunalë të akomoduar nga Imri Ahmeti, vazhduan sulmin e kërcënimet e ashpra ndaj asamblistëve e aktivistëve të Vetëvendosjes në Lipjan, duke u munduar t’i nxjerrin jashtë me forcë aktivistët.

Vetëvendosja në Lipjan thotë se “Ahmeti gjuhën denigruese e kërcënimet i ka pjesë të rëndomtë të personalitetit dhe politikbërjes që manifestojnë vogëlsinë e tij, prandaj secili që mendon dhe vepron ndryshe, rëndom përballet me etiketime, shpifje e bullizim nga Imri Ahmeti, ndërsa Kuvendi Komunal trajtohet si zyrë e LDK-së e pronë private e tij”.

VV-ja ka thënë se po shohin të gjitha mjetet dhe mundësitë për reagim ligjor në këtë drejtim.