Arbëri

Në mungesë të mjekëve, ambulancave në shumë fshatra u është vënë dryni

Descriptive Text

Shumë ambulanca të Mjekësisë Familjare janë ndërtuar paslufte gjithandej fshatrave të Kosovës. Por, jo pak prej tyre u është vënë dryni. Qytetarët ankohen për mungesë shërbimesh shëndetësore, e autoritetet thonë se në masë të madhe këtë realitet e ka diktuar konkursi i fundit për specializantë, kur shumë mjekë lëshuan punën

Është rinovuar para dy vjetësh, por ende nuk është në funksion objekti ambulator në Sankoc të Drenasit.

Përfaqësuesi i fshatit me rreth 1.300 banorë, thotë se në mungesë të ambulancës, detyrohen të shkojnë në qytet për shërbime.

“Aty edhe shkolla është afër dhe kemi fëmijë shumë, edhe të vjetër dhe është e nevojshme të vijë mjeku edhe e kemi më afër. Kemi bërë kërkesë dhe e kanë rinovuar, por shkaku që ata kanë deklaruar se nuk kemi kuadro sa duhet nuk kanë pasur mundësi”, u shpreh Kadri Ajazi, kryetar i Sankocit.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas thotë se mbyllja e këtij objekti ambulator, por edhe të atyre në disa fshatra të tjera, është bërë pas konkursit të fundit për specializime.

"Në atë kohë, stafi shëndetësor është bërë një prerje e vrazhdë. Prej numrit të mjekëve që kam pasur, 15 kanë shkuar në specializim. Në atë kohë, gjatë kohës së pandemisë, kam funksionuar me 17 mjekë. Kam marrë vendim që disa qendra AMF të mbyllën përkohësisht dhe për këtë janë njoftuar edhe qytetarët, një pjesë kanë punuar shërbimet, por për vizitat nuk kemi pasur mundësi të dërgojmë mjek", ka pohuar Ismet Bogiqi, drejtor i QKMF-së në Drenas.

Mbështetur në të dhënat e siguruara nga komunat, të njëjtin fat e kanë pasur edhe disa ambulanca në Ferizaj, Skenderaj dhe Han i Elezit.

Në gjashtë fshatra të Ferizajt, i mbajnë dyert e mbyllura objektet që ofronin shërbime shëndetësore. Një nga to është ambulanca në Mirosalë të Ferizajt.

“Kjo ka funksionuar edhe gjatë luftës, shumë njerëz kanë ardhur dhe kanë bërë kontrolle në ato mënyrat vetanake, mirëpo tash të mos funksionojnë në këtë kohë është absurde, për shkak se i kemi diku afër 300 nxënës, së paku një lëndim i vogël të jetë një motër ose një mjek mjafton”, ka pohuar Përparim Bytyçi, kryetar i fshatit Mirosalë, Ferizaj.

Banorët e fshatit mezi presin të hapen dyert e ambulancës.

“Është e mirëseardhur që kjo derë të hapet, të fillojë punën siç ka punuar edhe më parë, edhe për nxënës disa kontrolle i realizonin këtu afër, kështu që neve na lehtësohet puna si fshat, ku dihet që shumë familje jetojnë edhe në kushte jo të mira ekonomike”, tha Feime Berisha, arsimtare dhe banore e këtij fshati.

Dryni i është vënë edhe ambulancës në Talinoc të Muhaxherëve. Banorë të fshatit me rreth 600 familje, kërkojnë që shërbimet shëndetësore të rifillojnë sa më parë.

"Edhe është problemi që ka nevojë këtu të vijnë mjekë se fshati është i madh shumë, nuk po vijnë. Ne e kemi edhe primarin, po thonë hajt shkoni në Ferizaj në primare, duke e pasur në derë të shtëpisë”, u shpreh banori Nexhat Sejdiu.

Në Ferizaj dhanë arsyen e njëjtë për mbylljen e ambulancave, si në Drenas.

"Të gjithë ata mjekë të rinj kanë shkuar në specializim, mirëpo ne disa i kemi që punojnë edhe në QKMF, por edhe vazhdojnë specializimin. Disa prej tyre kanë qenë edhe të angazhuar edhe në qendrën e vaksinimit anti-COVID-19. Por megjithatë, ne kemi mungesë të mjekëve”, deklaroi Nadire Ymeri, drejtoreshë e QKMF-së në këtë qytet.

Në korrik të vitit 2020, kohë kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Armend Zemaj, ishte hapur konkursi për pranimin e 1.034 specializantëve.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se gjatë pandemisë kanë ndihmuar komunat në punësimin e mjekëve të rinj në Kujdesin Parësor Shëndetësor, por i akuzuan ato se disa ambulanca nëpër fshatra i kanë hapur pa bërë planifikimin për kuadrin profesional dhe për resurse të tjera.