Arbëri

Prej pesë ditësh banorët e një lagjeje në Shtime në hall nga kanalizimi

shtime, kanalizim, 14 prill

Banorët e lagjes “Anton Qeta” në Shtime, prej më shumë se pesë ditë po përballen me rrjedhje e kundërmim të ujërave të zeza që kanë depërtuar mbi sipërfaqen e tokës.

Sipas banorëve, kjo lagje shpeshherë përballet me këtë problem ndërkohë organet kompetente si Komuna dhe kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” nuk intervenojnë me kohë.

Fadil Hoxha, njëri nga banorët e kësaj lagjeje, thotë se u është vështirësuar jetesa.

“Mbi pesë ditë jemi duke u përballur me këtë kundërmim e ujëra të zeza. I kam telefonuar edhe kompanisë së Ujësjellësit dhe i kam treguar se ky problem po përsëritet çdo dy javë, andaj duhet të marrë masa në koordinim me komunën. Neve si familje më së shumti po na shkakton probleme sepse ujërat e zeza po futen nëpër oborre dhe kundërmimi është i madh”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se pas zgjedhjeve askush nuk po interesohet për hallet e qytetarëve.

“Ku janë njerëzit që i morën votat, kanë harruar më duket se qytetari ka nevojë çdo ditë. Le të vinë dhe të qëndrojnë pesë minuta në këtë rrugë dhe le ta shohin se a mund të jetohet në këtë lagje nga kundërmimi”, ka shtuar ai.

Sabri Çerkini, drejtor në KRU “Prishtina” për Shtime, ka thënë se janë disa pika “të zeza” të rrjetit të kanalizimit, në të cilat shpeshherë ka telashe.

“Në këtë lagje rrjedhin ujërat e pjesës së epërme të lagjeve tjera, prandaj brenda vitit intervenojmë 3 apo 4 herë për t’i pastruar gypat, pasi që qytetarët hedhin gjëra të ndryshme në rrjetin e kanalizimit. Gjatë ditës kemi intervenuar dhe tashmë nuk ka hapësirë për shqetësime, por kërkojmë nga të gjithë qytetarët të kenë kujdes dhe të mos hedhin mbeturina apo gjësende tjera në rrjetin e kanalizimit sepse po shkaktojnë bllokim të gypave”, ka thënë Çerkini.

E Bardhyl Rushiti, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Shtime, ka thënë se janë duke i identifikuar problemet.

“E kemi pranuar si informacion se ajo lagje ka telashe, andaj ne do të shikojmë se ku qëndron problemi, nëse aty shpeshherë paraqiten telashe të tilla. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me kompaninë për menaxhimin e rrjeteve të kanalizimit dhe do të intervenohet sa më shpejtë që është e mundur në secilin rast”, ka thënë midis të tjerash Rushiti.