Arbëri

Pas 6 muajsh nxënësi me autizëm do të vijojë mësimin në klasë të rregullt

nxenes, femije, autizem, 13 prill

Pas pushimit pranveror, këtë javë, fëmijët i janë rikthyer shkollës.

E nxënësi i klasës së parë në shkollën “Asdreni” në Pejë ka një gëzim të dyfishtë, pasi ai nga enjtja do të ndjekë mësimin ndryshe nga herët e tjera.

Ky nxënës me autizëm për gjashtë muaj ka mbajtur mësimin ndaras në një dhomë të miqësisë.

Por pas raportimit të KOHËS ekipi vlerësues komunal ka bërë vlerësimin pedagogjik të fëmijës dhe ka ardhur në përfundim që ai duhet të vazhdojë mësimin e rregullt së bashku me bashkëmoshatarët e tij.

Drejtori i Arsimit, Naser Gega, tregon për vendimin duke e quajtur atë të dobishëm për të gjitha palët.

“Nxënësi Qelaj do të vazhdojë mësimin e rregullt në shkollën ‘Asdreni’ së bashku me shokët moshatarë të tij. Do të ketë mësuesen mbështetëse, psikologia do të angazhohet sipas nevojave dhe kërkesave edhe të fëmijës. Do të thotë është përkrahja e vazhdueshme në përgjithësi, mbetet ajo që kam thënë në fillim se nxënësi në shkollë duhet të jetë gjithsesi. E jona ishte vetëm ta definojmë se a do të jetë në klasë me bashkëmoshatarë apo do të punohet me mësuesen mbështetëse, do të thotë kemi një përzgjedhje të mirë”, tha ai.

Babai Florian Qoqaj e ka mirëpritur këtë vendim duke theksuar se do të ndikojë në socializimin e djalit të tij.

“E kanë bërë një vlerësim dhe kanë marrë një vendim të mirë, do të thotë djali do të vazhdojë në klasë të rregullt, sigurisht me asistente, psikologe dhe me të gjitha, çka ka nevojë për t’i ndihmuar. Është mirë për të, sepse e ka pasur të nevojshme. Shpresoj që djali është shumë i aftë për atë punë saqë të arrijë të kyçet në klasë dhe të vazhdojë në mënyrë të rregullt”, u shpreh Qoqaj.

Rëndësinë e inkuadrimit të fëmijëve me autizëm në proces të rregullt mësimor e thekson edhe psikologja shkollore, Nausika Hoxha.

“Fëmija përfiton që socializohet, modelon, hyn në rregulla sociale, për shembull gradualisht mëson se kur përfundon një orë e procesit mësimor. Modelon prej bashkëmoshatarëve të tjerë. Në proces mësimor nuk mundet fëmija të mësojë derisa është i izoluar, e njëjta është edhe për fëmijët me zhvillim tipik, nëse na nuk i ekspozojmë me bashkëmoshatarët e tyre, me disa rregulla sociale të cilat i përkasin moshës të tyre, atëherë nuk ka diçka të re që mundet të mësohet”, tha Nausika Hoxha, psikologe shkollore.

Sipas saj, nëse fëmija hyn në proces mësimor, përfiton në aspektin e sjelljeve modeluese, qoftë edhe në të nxënë në temat mësimore edhe pse ato “mund të jenë shumë sfiduese”.

“Në këtë rast duhet me qenë bashkëpunimi prind mësues dhe prej anës të ekipit multidisiplinar në shkollë, dhe prej një vlerësimi të mirëfilltë profesional që me hartu një plan se ku me intervenu me fëmijën”, shtoi ajo.

Sipas të dhënave nga MASHTI, 38 nxënës me autizëm janë të regjistruar në qendra burimore.