Arbëri

Mospajtime rreth zgjedhjes së një nënkryetari për komunitete në Komunën e Prizrenit

Kuvendi i Prizrenit ende nuk e ka zgjedhur nënkryetarin për komunitete, ani se një emër për këtë post është dhënë nga kryetari Shaqir Totaj. Partitë politike të komuniteteve kanë shfaqur dilema të ndryshme lidhur me procesin, teksa monitoruesit u kanë bërë thirrje atyre që ta gjejnë një kandidat apartiak për këtë funksion

Si një komunë shumetnike, Prizreni po përballet me vështirësi në zgjedhjen e një nënkryetari për komunitete, pasi që edhe përpjekja e dytë për të bindur kuvendarët, veçmas ata nga radhët e komuniteteve, ka dështuar në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës.

Kryetari Shaqir Totaj ka bërë të ditur se ky post ligjërisht i takon një personi nga radhët e komunitetit boshnjak dhe se për këtë arsye ka zhvilluar konsulta me partitë e këtij komuniteti, porse nuk është arritur pajtimi rreth një emri të përbashkët.

“Për fat jo të mirë, nuk kemi pasur unifikim. Do të thotë nuk janë pajtuar që tri partitë e komunitetit joshumicë boshnjak të propozojnë një person, të cilin pastaj kishin për ta votuar dhe që do të ishte mirë për performancën tonë të përgjithshme si Kuvend, por edhe për mua do të ishte lehtësim në punë, për shkak se ai person do t’i përfaqësonte interesat jo vetëm të komunitetit boshnjak, por të të gjitha komuniteteve. Mirëpo nuk mundëm që të arrijmë një ujdi të këtillë”, ka thënë Totaj.

Ai ka propozuar që Ramiz Shabani të zgjidhet në këtë funksion, mirëpo pjesa dërrmuese e kuvendarëve nga radhët e partive turke dhe boshnjake kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke theksuar se ka paqartësi ligjore që duhen trajtuar nga niveli qendror.

Si rrjedhojë, kandidati i propozuar ka marrë vetëm një votë për nga kuvendarët e komuniteteve, derisa 5 të tjerë kanë votuar kundër. Si rrjedhojë, është pamundësuar zgjedhja e tij.

Moszgjedhja e nënkryetarit për komunitete, sipas aktivistëve të shoqërisë civile, po i dëmton interesat e tyre, pasi që aktualisht nuk ekziston një adresë për paraqitjen e problemeve pranë ekzekutivit komunal.

“Ne monitoruesit edhe kërkojmë nga këto parti që përfaqësohen në Kuvend që ta gjejnë një konsensus të përbashkët dhe nuk është e nevojshme që patjetër të jetë një kandidat nga radhët e këtyre partive. Mund të jetë një person tjetër që nuk është i politikës, por që duhet patjetër të emërohet, pasi që e dimë se nënkryetari për komunitete e përfaqëson interesin e të gjitha komuniteteve dhe jo vetëm të partive apo interesin e një grupi politik”, ka deklaruar Eroll Shabani, nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”.

Propozimi i kryetarit Totaj për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete në seancën e mbajtur në fillim të marsit nuk ishte shqyrtuar fare nga Kuvendi. Sipas dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, komunat, në të cilat të paktën 10 për qind e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë duhet që të kenë një nënkryetar për komunitete.