Arbëri

Gjykata Themelore në Ferizaj nis pezullimin e punimeve në objektet shumëkatëshe pa kritere

Gjykata Themelore në Ferizaj pas inicimit të një padie nga banorët e lagjes “Gëzim Salihu” në këtë qytet, ka caktuar masë të përkohshme të sigurimit për t’ia ndaluar punimet një biznesi i cili po ndërtonte një objekt shumëkatëshe në mes të lagjes. Për këtë dhe disa ndërtime të tjera pa kritere, banorët e kësaj lagje ditë më parë patën protestuar me bllokim të rrugës e, për të cilën ka raportuar KOHA.

Sipas banorëve, kjo lagje ka nisur të degradohej nga disa objekte shumëkatëshe, ndërkohë komuna nuk ka marrë masa. Banorët kanë iniciuar padi edhe ndaj komunës rreth kësaj çështje, andaj kërkojnë nga organet kompetente të ndalohen punimet edhe në disa objekte të tjera të cilat nuk i plotësojnë kriteret.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt të cilin e ka siguruar KOHA thuhet se aprovohet si i bazuar propozimi i paditësve, ashtu që të caktohet Masa e Përkohshme e Sigurimit dhe i ndalohet kundërshtarit të sigurimit t’i ndërpresë të gjitha punimet lidhur me ndërtimin e objektit kolektiv afarist 2B+P+11+PH.

“Paditësit- propozuesit me anë të propozimit për caktimin e masës, kanë theksuar se palët paditëse janë të rrezikuar nga punimet dhe mund të shkaktohet dëm në shtëpitë e tyre, pasi që të njëjtat janë në kufi me parcelën në të cilën është dhënë leja për ndërtimin e objektit të banimit kolektiv. Ndër të tjera kanë theksuar se leja e dhënë ndërtimore nga Komuna e Ferizajt është dhënë pa marrjen e pëlqimit të banorëve fqinjë, e që sipas dispozitave ligjore është obligative marrja e pëlqimit nga fqinjët për dhënien e lejes ndërtimore si dhe kanë shtuar se pa caktimin e kësaj mase pala kundërshtare nuk do të ndërmarrë veprime të caktuara për të mos shkaktuar dëme ndaj paditësve propozuesve”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Në një intervistë për KOHËN, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, pati thënë se dhënia e lejeve për disa objekte banesore në këtë lagje është lëshuar në të kaluarën, ndërkohë si drejtori duhet ta zbatojnë atë.

“Ne i inkurajojmë banorët që nëse ata vërejnë se ka diçka që nuk janë respektuar aspektet ligjore, t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre. Mirëpo e thash edhe më herët se në bazë të dokumenteve të planifikimit aty është paraparë ndërtim i lartë dhe duhet të respektohet ky dokument i planifikimit”, pati thënë Bytyqi.