Arbëri

Katër vendime të jashtëligjshme, nga katër seanca të Komunës së Obiliqit

Gjithsej katër seanca i ka mbajtur në këtë mandat Kuvendi Komunal i Obiliqit dhe katër vendime të nxjerra në to janë kualifikuar të jashtëligjshme nga ministri të caktuara.

Një vendim është për Këshillin për Siguri në Bashkësi, një tjetër për tatimin në pronë, ndërkaq dy vendime të miratuara në seancën e fundit kanë të bëjnë me formimin e komisioneve për dhënien e banesave për raste sociale, si dhe për organizatat e dala nga lufta.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Ahmeti, thotë se disa nga vendimet e shpallura të paligjshme janë pasojë e paditurisë së pushtetit lokal e në disa të tjera shkeljet janë bërë qëllimshëm.

“E them e qëllimshme për faktin se dy vendimet e fundit për formimin e komisioneve për dhënie të banesave edhe më herët këto komisione për këto drejtime janë bërë nga Kuvendi Komunal, me qëllim që të ikë përgjegjësia nga kryetari i Komunës. Kjo është përgjegjësi decidivisht sipas ligjit e kryetarit të komunës”, tha Ahmeti.

Zyrtarët komunalë i mohuan akuzat. Në një përgjigje me shkrim thanë se sa i përket vendimit për tatimin në pronë kjo ka ndodhur për shkak se Ministria e Financave e ka zbatuar vendimin e vitit 2021.

“Se sa jemi të përgjegjshëm dhe të zotë të hartojmë vendime, rregullore e besa edhe ligje (rikujtim Ligji për zonën e rrezikuar mjedisore dhe rreth tij, Ligji nr.05/L-044), besoj tanimë nuk do koment. Ne nuk presim lavdata nga opozita, por presim korrektësi!” – thuhet nga Zyra për informim e Komunës së Obiliqit.

Në dy vendimet e fundit të Kuvendit Komunal, e që kanë të bëjnë me formimin e komisioneve për dhënien e banesave për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së dhe familjet në nevojë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se nuk kanë qenë në harmoni me Udhëzimin Administrativ për procedurat e përfitimit nga programet e veçanta për bainim.