Arbëri

Fushë-Kosova liron të gjitha bizneset nga taksa komunale

Zyrtarët opozitarë në Fushë-Kosovë kanë kërkuar nga ekzekutivi që në lirimin e bizneseve nga taksa komunale të përfshihen mikrobizneset dhe jo edhe ato makro dhe po ashtu që në këtë ndihmë të përfshihen edhe qytetarët duke e liruar tatimin në pronë. Por, asnjëra as tjetra nuk janë përfillur nga pushteti lokal

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka marrë vendim që t’i lirojë të gjitha bizneset nga taksa komunale. Këtë vendim megjithëse e kanë përkrahur edhe dy partitë opozitare LVV e PDK, zyrtarët e tyre i kanë pasur disa propozime rreth këtij vendimi.

Këshilltari nga radhët e LVV-së, Habib Mekolli, ka thënë se sivjet situata ekonomike është e vështirësuar për të gjithë.

“Nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik na kishte ardhur në Kuvend Komunal propozimi për heqjen e taksës komunale për bizneset, me arsyetim si ndihmesë për pasojat pandemike. Ne në parim e kemi mbështetur, mirëpo kemi dhënë vërejtjet tona. Kemi kërkuar nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik që të bëjë selektimin e bizneseve, në rend të parë ato prodhuese të përkrahen, e jo blanko të gjitha, pra jo të trajtohen njëjtë si ato prodhuese e zejtare me ato tregtare që bëjnë rritjen e çmimeve artificialisht, p.sh. vaji 3.49 euro”, ka thënë Habib Mekolli.

“Në bazë të kompetencave si Kuvend Komunal, ne kemi propozuar që tarifat e tatimit në pronë, pasi nuk kemi mundësi t’i largojmë tërësisht, së paku të bëhen në nivelin më të ulët për këtë vit, pra t’i ndihmojmë qytetarët në lehtësimin e këtij viti paspandemik, e me çmime të rritura të produkteve bazike”.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla, ka thënë se njësoj kanë kërkuar që në lirimin nga taksa komunale të mos përfshihen të gjitha bizneset.

“Ne kemi kërkuar që në mesin e bizneseve të ketë një selektim. Në bazë të dokumentit që na u ofrua nga drejtori 87 për qind janë mikrobiznese për çka ne jemi me i ndihmua pa asnjë dilemë. Por, nuk na pëlqen që një pjesë e bizneseve, sidomos ato të mëdha, të cilat kanë qenë përfitues në kohë pandemie nga shteti, tash po i subvencionojmë edhe na, për këtë arsye do të ishte mirë që të ketë një selektim për bizneset e mëdha”, ka theksuar ai.

Por, këto propozime nga opozita nuk janë marrë parasysh nga pushteti komunal në seancën e fundit kur është diskutuar kjo pikë. Ata e kanë miratuar propozimin që nga taksa komunale të lirohen të gjitha bizneset që operojnë në Fushë-Kosovë.

“Komuna përgjatë këtyre viteve të fundit ka arrit të krijojë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin dhe rritjen e bizneseve në saje të mbështetjes, përkrahjes, lehtësirave dhe bashkëpunimit të mirë që ka me sektorin privat dhe akterët tjerë me ndikim në zhvillimin ekonomik lokal”, thuhet në propozimin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, i cili edhe është miratuar.

Sipas të njëjtit, numri i bizneseve aktive në Fushë-Kosovë është 1.720, ku struktura ekonomike sipas madhësisë është e dominuar nga mikrobizneset me 87.7 për qind.

“Në të shumtën e rasteve janë biznese indviduale që bëjnë investime të vogla kapitale, përderisa ato gjenerojnë numër të madh të vendeve të reja të punës dhe paraqesin shtyllën kryesore të ekonomisë lokale. Bazuar në situatën pandemike shumica e bizneseve kanë pësuar një ndërprerje të konsiderueshme në operimet e zakonshme duke u përballur me humbje të mëdha”, thuhet tutje në këtë propozim. “Në këtë profil të paqëndrueshëm financiar propozojmë që të mbështetet propozimi për lirimin e të gjitha bizneseve nga pagesa e taksës për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës për vitin 2022”.

Image