Arbëri

LDK-ja e akuzon për keqqeverisje, Bulliqi ia përmend “kompanitë” 

Punësime familjare e të militantëve partiakë dhe shpërblim me tenderë të kompanive të afërta me Vetëvendosjen, ka qenë përshkrimi i zyrtarëve të LDK-së për qeverinë 100-ditëshe të kryetarit Shpejtim Bulliqi. Këto akuza i ka mohuar Bulliqi, duke thënë se Vetëvendosje nuk ka kompani sikur që ka pasur LDK-ja për 20 vjet. Ndërkohë, përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, do të jetë i vështirë realizimi i të gjitha projekteve të parapara për sivjet

Akuza të shumta ka ngritur partia opozitare, LDK, për 100-ditëshin e qeverisë së kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Këshilltari komunal i kësaj partie, Qëndrim Softolli, ka thënë se keqqeverisja në Podujevë po vazhdon sikurse në vitin e kaluar. Sipas tij, Vetëvendosja po sillet me arrogancë për shkak të numrave në Kuvend dhe se ka mungesë të vizionit të qartë për zhvillimin e Komunës.   

“Keqqeverisja po vazhdon nga viti i kaluar. Kemi emërimin e të njëjtëve drejtorë që dështuan në mandatin e kaluar për të kryer punën ashtu siç duhet. Edhe emërimi i drejtorëve të rinj thuajse është e njëjtë, të dobët. Kemi punësim në të gjitha dikasteret, punësim të familjarëve, militantëve që i shpërblyen me kontrata të punës pa kurrfarë procedure. Pastaj kemi thyerjen e kauzave të cilat i ngritën derisa erdhën në pushtet, duke filluar nga koalicioni e te punësimet që janë thirrur non-stop se s’do të ketë punësime të familjarëve, të militantëve me libreza partiake e kështu me radhë”, është shprehur Qëndrim Softolli. 

Ai ka thënë se buxheti është koncentruar në asfalt që, sipas tij, Vetëvendosje vazhdimisht e kishte kritikuar qeverisjen e kaluar për këtë gjë. Softolli ka thënë se pushteti në Podujevë po i shpërblen me tenderë edhe kompanitë që kanë ndihmuar në fitoren e Vetëvendosjes. 

Kur është kërkuar fakte për këto akuza, Softolli ka thënë se të gjitha do t’i publikojnë në ditët në vazhdim. 

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Rrjetit të organizatave “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, ka thënë se për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të çmimeve nuk pret që të realizohen të gjitha projektet e parapara për sivjet. 

“Qeverisja 100-ditore tashmë e mandatit të dytë e z.Bulliqi nuk dallon shumë prej mënyrës se si ka qeverisur në mandatin e shkurtër prej një viti. Por, tash e ka fuqinë më të madhe politike për shkak që është i zgjedhur si kryetar me një shumicë, i konfirmuar për katër vjetët e ardhshëm. Ka një shumicë në Kuvend me një marrëveshje që ka arritur me PDK-në për të siguruar numrin në Kuvend. I ka emëruar drejtorët e disa prej tyre me një vonesë të pakuptimtë”, ka thënë Shemsi Jashari. 

Ai ka theksuar se deri tash nuk kanë parë ndonjë dinamikë në realizimin e projekteve. “Megjithatë, e kemi vërejtur një ndryshim në qasje, ose një ndryshim afirmativ në raport me bashkëpunimin me shoqërinë civile. Kemi pasur gjatë kësaj periudhe disa dokumente në diskutim publik”, ka thënë Jashari. “Unë nuk pres realizim në përqindje të lartë të këtyre projekteve, qoftë për shkak të dinamikës së ngadalshme qysh ka filluar kjo qeverisje, por gjithashtu edhe për shkak të çrregullimit të tregut të çmimeve. Shumë operatorë sigurisht se do të kenë hezitime që t’i kryejnë punët për atë buxhet, i cili ka qenë i planifikuar, për shkak që planifikimet buxhetore kanë qenë të fazës para se të lëviznin çmimet”. 

Në anën tjetër, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i ka mohuar akuzat e LDK-së rreth tenderëve e punësimeve. 

“Sigurisht që opozita e di shumë mirë që ne s’kemi kompani tona, sikur që kanë pasur ata për 20 vjet. Për neve të gjitha kompanitë të cilat punojnë i kryejnë projektet dhe punët me nder janë kompani të çmueshme me të cilët sigurisht se do të vazhdojmë të punojmë, sikurse çështja e punësimit që janë shumë me një transparencë të lartë dhe çdo gjë është publike dhe kalohet nëpër ato procedurat të cilat janë të nevojshme”, është shprehur Shpejtim Bulliqi. 

Sa i përket realizimit të projekteve, Bulliqi ka thënë se deri tash i kanë zhvilluar 43 procedura të prokurimit dhe se kanë filluar punimet në ndërtimin e urave, kolektorit në qytet dhe ndërtimi i Ambulancës në Gllamnik. Sipas tij, ka filluar realizimi i projekteve edhe në dikasteret e tjera dhe dhënia e subvencioneve në bujqësi. 

“Jemi duke vazhduar me projekte konkrete, punë konkrete. Deri tash kemi iniciuar diku 43 procedura të prokurimit për projekte të ndryshme. Në fazën e vlerësimit kemi një numër prej 12 projekteve të ndryshme dhe në fazën e njoftimit të shpalljes së fituesve janë diku rreth 10 projekte. Ajo që ka filluar në terren këtyre ditëve është projekti i ndërtimit të urave, i cili aktualisht ka filluar në Tërrnavë dhe vazhdohet me vijat e tjera, të cilat janë të planifikuara”.