Arbëri

Ramosaj: Është duke u krijuar një imazh se Kosova është vend i pasigurt për investime

Descriptive Text

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në “Java Sonte me Rronin” ka treguar për historikun e kontratës së nënshkruar me Kelkosin e po ashtu ka treguar se si kompania nuk kishte respektuar kontratën gjatë ndërtimit të hidrocentraleve.

Ramosaj ka treguar se po flitet për një periudhë e vitit 2011, kur përgjegjëse atëbotë ishte Agjencia e Pyjeve.

Ai ka thënë se ky ndërrim i autoriteteve e bën çështjen më të vështirë, pasi druhet se Komuna e Deçanit mund të mos jetë palë në kontest gjyqësor.

“Kontrata derisa është nënshkruar dhe nuk ka një vendim gjyqësor se është anuluar, ajo është valide. Komuna e Deçanit është insistuese, e kemi diskutuar disa herë, e kemi bërë padi që KELKOS të përmbush obligimet në raport me Komunën. Kam drojën se në procedurë gjyqësore, Komuna mund të mos jetë palë e mirëfilltë dhe e pranueshme direkte për shkak të autoriteteve tjera”, tha Ramosaj.

Ramosaj ka thënë se menaxhmenti i kompanisë Kelkos thuajse ka ndërruar tërësisht dhe është kthyer në Komunë për t’u interesuar se si të zbatohen pikat e marrëveshjes.

“Është e vështirë, pasi pika kyçe e zbatimit të marrëveshjes fillon me ndërtimin e liqenit akumulues që bën furnizimin e hidrocentraleve me ujë, që të mos merret uji direkt nga shtrati i lumit. Janë gabimet ambientale që duhet patjetër të riparohen. Nga ndërtimi i liqenit akumulues, respektimi i minimumit ekologjik të shtratit të lumut, revitalizimi i skarpateve që gjatë kryerjes së punimeve është bërë dëm ambiental, e deri te investimet e mundshme. Për mua investimet janë gjëja e fundit”, tha Ramosaj.

Ramosaj ka thënë se fajet kryesore janë te autoritetet e Kosovës që kanë lejuar të bëhet shkelja.

“Tërë ditën ftojmë investues të huaj, nuk e ka faj ky investues, faj kanë autoritetet qendrore e inspektorët të çfarëdo niveli që kanë lejuar të zbatohet kontrata gabimisht. Kur hyn investuesi i huaj realisht ndoshta në dobëi të tij e funksion të tij, hyn me bë edhe shkelje, por nuk duhet lejuar. Po flasim për një investues si Kelagu, që është pjesë e aksionarëve të Kelkosit. Ka autoritet ndërkombëtar, sidomos në shtete si Austria e Gjermania. Imazhi që po krijohet për Kosovën është se ka pasiguri për investime, duke mos qenë ne të aftë të mbikëqyrim punimet tona. Pse duhet të lejojmë avari ambientale, pse të lejohet prodhimi i hidroenergjisë pa u rregulluar liqeni akumulues, e pse u desh të lejohet prodhimi kur nuk u respektua minimumi ekologjik. Këto kanë qenë në dorë të autoriteteve tona”, tha Ramosaj.