Arbëri

Ekzekutivit në Podujevë i kërkohet t’i ndajë 60 mijë euro për familjet në nevojë

Rritja e çmimeve gjatë këtyre ditëve të shumë produkteve bazë ka bërë që Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Podujevë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme. Ata po kërkojnë nga partia në pushtet që t’i ndajë 60 mijë euro për t’i ndihmuar familjet në nevojë. Ndërkohë, partia në pushtet megjithëse nuk është shprehur kundër, po kërkon nga iniciuesi që të tregojë se prej cilës kategori buxhetore të merren këto mjete

Seancë të jashtëzakonshme ka thirrur Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Podujevë, pas rritjes së çmimeve të shumë artikujve bazë. Ata kanë thënë se kjo rritje e ka rënduar gjendjen e shumë familjeve në vend. Ky subjekt opozitar në Podujevë po kërkon nga ekzekutivi komunal që t’i ndajë një shumë prej 60 mijë eurove, për t’iu dalë në ndihmë familjeve në nevojë. Këshilltari Qëndrim Softolli ka thënë se deri tash, këto kategori janë neglizhuar nga niveli lokal e qendror.

“Ne si Grup i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosëm ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme dhe ta trajtojmë pak a shumë dhe t’i propozojmë Kuvendit ndarjen e një shume të caktuar buxhetore që është 60 mijë euro nga kategoria e subvencioneve, që sadopak të ndiejnë dorën e shtetit për këto kategori në nevojë, pra familjet në asistencë sociale dhe familjet në nevojë”, ka theksuar Softolli.

Këshilltarët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen rreth kësaj iniciative të LDK-së.

Ndërkohë, shefja e Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Adelina Stublla, ka thënë se në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, zyrtarët e LDK-së nuk kanë treguar se prej cilës kategori buxhetore mendojnë që duhet marrë këto mjete. Ajo ka thënë se presin që këtë ta sqarojë iniciuesi gjatë seancës së jashtëzakonshme, që do të mbahet të mërkurën.

Në anën tjetër, iniciuesi i kësaj seance, Qëndrim Softolli, pret që të gjejnë mbështetje edhe te partitë në pushtet rreth kësaj iniciative.

“Në përgjithësi janë pro këtij propozimi, të shohim nesër në mëngjes e kemi edhe mbledhjen e Kuvendit. Besoj që nuk do të ketë ndonjë zë kundër për këtë propozim, pasi është e domosdoshme këto ditë”, është shprehur këshilltari i LDK-së.

Sa i përket vijës buxhetore se ku duhet të merren këto mjete, Softolli ka thënë se kjo i takon pushtetit dhe jo partive opozitare.