Arbëri

Kuvendi i Prizrenit s’e shqyrton propozimin për nënkryetarin për komunitete

Descriptive Text

Propozimi i kryetarit Shaqir Totaj për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete nuk është shqyrtuar fare në seancën e rregullt të Kuvendit të Prizrenit.
Anëtarët e këtij organi, me shumicë votash, kanë vendosur që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës.

Propozimi për largim të kësaj pike nga agjenda e mbledhjes është bërë nga anëtarja e KDTP-së, Sevil Kazaz, me arsyetimin se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale dhe Udhëzim Administrativ përkatës janë në konflikt sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit për komunitete.
Edhe pas vendimit për mosshqyrtimin e këtij propozimi ka vijuar debati.

“Një akt, i cili obligon kryetarin që pas betimit të ofrojë një kandidat nga komunitetet, Kuvendi nuk ka të drejtë ta mohojë të drejtën e kryetarit. Për atë arsye kërkoj nga nënkryesuesi që të konsultohet edhe njëherë me zyrtarin ligjor”, ka thënë Ertan Simitçi, anëtar i Kuvendit.

Zyrtari ligjor i Kuvendit ka bërë të ditur se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal disa herë ka kërkuar nga organet komunale që ta zgjedhin nënkryetarin për komunitete.

“Disa herë ka ardhur në e-mail kërkesa që brenda 30 ditësh pas konstituimit të Kuvendit duhet me u zgjedh. Por mbetet te ju, qysh vendosni, te Kuvendi”, ka thënë Blerim Rakaj, zyrtar ligjor.

Ndërsa nënkryetari i parë i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka konsideruar se Kuvendi i Prizrenit ka bërë shkelje procedurale me largimin e kësaj pike nga rendi i ditës.

“UA e obligon kryetarin e komunës që me propozua nënkryetarin për komunitete në Kuvend, sipas UA. Edhe kryetari e përfundoi dhe e konsumoi të drejtën ligjore për me ia sjellë Kuvendit. Ju vendosët me e largu nga rendi i ditës, është në dorën e juaj a keni vendosur drejt apo jo drejt. Por ju është dashtë me shqyrtua, as emrin nuk e kërkuat me e ditë kush është”, ka deklaruar ai.

Sipas dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, komunat ku të paktën 10% e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë, duhet të kenë një nënkryetar për komunitete.