Arbëri

Komunës së Podujevës i kërkohet evitimi i shkeljeve ligjore në një tender

Procedurat e prokurimit për tenderin 1.4 milion euro të Komunës së Podujevës, Agjencia Kundër Korrupsion i ka quajtur të paligjshme, pasi Komuna si autoritet kontraktues, e ka caktuar minimumin e punëtorëve që duhet të kenë operatorët ekonomikë që i hyjnë garës për të rikonstruktuar rrugën “Skënderbeu”

Kundërligjore po e konsideron Agjencia Kundër Korrupsion (AAK), kërkesën e Komunës së Podujevës për caktimin e kapaciteteve teknike të operatorëve ekonomikë në tenderin për rikonstruimin e rrugës “Skënderbeu” me infrastrukturën përcjellëse.

Në një opinion që ua ka dërguar zyrtarëve komunalë, AKK-ja ka thënë se kufizimi i numrit të punëtorëve nga Autoriteti Kontraktues bie ndesh me Ligjin për prokurimin publik.

“Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurë të hapur, kontratë publike, të llojit punë, me vlerë të madhe të parashikuar prej 1,400,000.00 eurosh”, thuhet në arsyetimin e AKK-së të këtij opinioni për Komunën e Podujevës.

Sipas të njëjtit, në kuadër të rubrikës III.2.4. Kapaciteti teknik dhe profesional kërkesa 1, Agjencia vëren se Autoriteti Kontraktues ka kërkuar që operatorët ekonomikë duhet të ofrojnë dëshmi se kanë staf të mjaftueshëm teknik për realizimin e këtij projekti, minimumi 20 të punësuar. Tutje thuhet se lista e stafit teknik të kompanisë e nënshkruar dhe e vulosur, duhet t’i bashkëngjiten kontratat apo parakontratat ose dëshmitë nga ATK-ja.

“Kërkesë kjo për të cilën konsiderojmë se bie ndesh me nenin 69, paragrafi 6.4 të Ligjit në fuqi për prokurimin publik. Sipas dispozitave të Ligjit në fuqi për prokurimin publik dhe Rregullat dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, autoriteti kontraktues mund të kërkojë minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxherial për secilin nga 3 vjetët e fundit, ku si dëshmi mund të kërkojë një deklaratë apo raport për fuqinë mesatare punëtore dhe numrin mesatar të personelit udhëheqës të operatorit ekonomik për secilin nga 3 vjetët e kaluar”, thuhet tutje në arsyetim.

Tutje, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, një kërkesë e tillë e vendosur nga Autoriteti Kontraktues është diskriminues dhe nuk u mundëson operatorëve ekonomikë të tjerë të cilët kanë një numër minimal të fuqisë punëtore të ofertojë për këtë kontratë.

“Duke caktuar një kufizim të tillë, Autoriteti Kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomikë të cilët kanë bërë numër të të punësuarve ose më tepër dhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët e tjerë të cilën kanë një numër të kënaqshëm të të punësuarëve. Duke caktuar një kërkesë të tillë Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit në fuqi për prokurimin publik”, thuhet tutje në arsyetimin e Agjencisë Kundër Korrupsion. “Agjencia kundër Korrupsion konsideron se veprimet e Autoritetit Kontraktues bien ndesh me nenin 7: Barazia në Trajtim dhe Jo-diskriminimit, si dhe nenin 69, paragrafi 6.4: Aftësitë teknike dhe profesionale të Ligjit për prokurimin publik Nr.04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-237, Ligjin Nr.05/L-068 dhe Ligjin Nr.05/L-092, dhe nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativë për Prokurimin Publik”.

Sipas Agjencisë, shkelje të tilla nuk duhet lejuar në aktivitete të prokurimit.

“Andaj, Agjencia kundër Korruspionit rekomandon që të evitohen këto shkelje, përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët ekonomikë të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi”.

Nëpërmjet opinionit, AKK-ja ka kërkuar nga Autoriteti Kontraktues që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme drejt evitimit të shkeljeve të evidentuara në lidhje me tenderin me titull “Rikonstruimi i rrugës ‘Skënderbeu’ me infrastrukturë përcjellëse”.