Arbëri

Fushë-Kosova nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes publike lokale

Kuvendarët e Fushë-Kosovës e kanë mbështetur në parim propozimin për fillimin e procedurave për themelimin e një ndërmarrjeje publike lokale. Në dokumentin që u është prezantuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, thuhet se kjo ndërmarrje me emrin “Fushë-Kosova” sh.a. do të mirëmbajë hapësrat publike dhe investimet e kësaj komune.

“Komuna e Fushë-Kosovës mbështetur në kërkesat e mëdha të mirëmbajtjes së investimeve publike të komunës, parkut rekreativ në fshatin Sllatinë e Vogël, parqeve dhe hapësirave të vogla publike në qytet, hapësirave publike nëpër oborre të objekteve shkollore dhe objekteve shëndetësore në qytet dhe nëpër fshatrat tona, palestrave dhe fushave të sportit, hyrjeve dhe daljeve të njësive banesore në ndërtesa, parkingjet dhe tregun, i propozon Kuvendit të Komunës marrjen e vendimit për fillimin e procedurave për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Fushë-Kosoa’ sh.a. dhe ndarjen e kapitalit fillestar prej 10,000.00 euro”, thuhet në propozimin, i cili është miratuar.

Sipas të njëjtit, Komuna e Fushë-Kosovës përmes kësaj shkrese garanton se pas aprovimit të krijimit të ndërmarrjes publike lokale “Fushë-Kosova” sh.a. do të kujdeset që të bëjë investime konform Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) të Komunës dhe përmes Komisionit Komunal të Aksionarëve do të kujdeset për investimet dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes që e njëjta të ketë një operim të denjë dhe konform ligjeve në fuqi.

“Komuna në aplikacionin i cili do të dorëzohet në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, ka paraqitr edhe planin e buxhetit dhe planin e biznesit ku janë përcaktuar në detaje të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Fushë-Kosova’ sh.a”.

Tutje në këtë dokument thuhet se Komuna me planin e buxhetit të vitit 2022 me vendim të Kuvendit do të ndanë mjete financiare në shumën prej 10,000.00 euro si kapital themeltar-fillestar të kompanisë.

“Komuna gjithashtu në vitin 2022, viti 2023 dhe vitet tjera në vijim do të ndajë mjete buxhetore varësisht prej nevojave të ndërmarrjes duke përfshirë edhe nevojat për investime apo zgjerim të kapaciteteve të ndërmarrjes, që do të thotë se komuna do të garantojë qëndrueshmëri financiare për ndërmarrjen; Është hartuar gjithashtu plani i biznesit për periudhën 2023-2025. Sipas këtij plani Ndërmarrja Publike Lokale ‘Fushë-Kosova’ sh.a. do të ofrojë shërbime cilësore për komunën, përkatësisht qytetarët”, thuhet në këtë shkresë.

“Komuna duke u bazuar në ligjet në fuqi sa i përket fushës së prokurimit publik do të kujdeset që projektet të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë me të cilat do të veprojë Ndërmarrja Publike Lokale ‘Fushë-Kosova’ sh.a. do të kalojnë gradualisht përmes kontratave tek ndërmarrja-të cilat janë të përshkruara në planin e buxhetit dhe planin e biznesit”.

Sipas këtij dokumenti, përmes nënshkrimit të këtij garancioni zyrtarët komunalë pranojnë të gjitha të drejtat dhe obligimet të cilat rrjedhin nga ligjet në fuqi që e rregullojnë çështjen e formimit të Ndërmarrjes Publike Lokale.