Arbëri

Projekti “Bashkimi i qytetit të Ferizajt” i nënshtrohet auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e projektit për bashkimin e qytetit të Ferizajt.

Sipas ZKA-së, fokus i auditimit janë gjithë fazat e projektit nga fillimi deri në përfundim.

Objektiv sipas ZKA-së është të vlerësohet nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit “Bashkimi i qytetit".

Projekti ishte rezultat i bashkëpunimit në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit kjo e fundit është përgjegjëse për aspektin financiar të projektit ndërsa Komuna e Ferizajt për procedurat e prokurimit, përfshirë edhe menaxhimin e kontratës.

Komuna ka filluar zbatimin e projektit në vitin 2018, një pjesë e tij është inauguruar në vitin 2021 ndërsa është duke u punuar edhe në pjesët e fundit që projekti të përfundohet në tërësi.

Projekti kishte qëllim uljen e aksidenteve në trafik, rritjen ekonomike/të hyrave të Komunës përmes qirave dhe parkingjeve nëntokësore, uljen e fluksit të automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit për automjetet që janë në transit. Projekti i lidh dy pjesët e qytetit të ndara nga hekurudha dhe ka vlerën mbi 5.5 milionë euro.

“Subjekt i këtij auditimi do të jetë Komuna e Ferizajt me njësitë vartëse siç janë: Departamenti i Prokurimit, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Infrastrukturës. Departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përfshihet në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit. Për të siguruar se zyrtarët e zgjedhur veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve që ata i përfaqësojnë, administrata publike duhet të jetë llogaridhënëse për administrimin dhe përdorimin e fondeve publike. Në këtë aspekt, Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar që përmes auditimit të projekteve kapitale të një rëndësie si financiare ashtu edhe sociale të forcojë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e administratës publike dhe aty ku është e mundshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive dhe efikase”, thuhet nga ZKA-ja.