Arbëri

Mitrovica në fokus të programeve kulturore të ministrit Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë një vizite të sotme te monumentet kulturore të qytetit të Mitrovicës, ka njoftuar se do të bëhen disa ndërhyrje restauruese.

Me theks të veçantë ai përmendi Hamamin e Qytetit, xhaminë e djegur “Mulla Ilaz Broja”, në Brojë të Skenderajt, xhaminë e Mazhiqit, duke përfshirë edhe projektet për revitalizim të qytetit të vjetër të Trepçës dhe ekspozitën e përhershme në Kompleksin e kullave të Isë Boletinit.

“Në kuadër të masave emergjente gjatë këtij muaji do të nisin ndërhyrjet me karakter shpëtimi në Xhaminë e Mazhiqit, Kishën Katolike Sase në Stantërg dhe Shtëpinë e Islam Shipollit, ndërsa grupi i dytë i ndërhyrjeve emergjente do të definohet javëve në vijim”, ka njoftuar ai.

Çeku njoftoi se gjatë vitit 2022 do të zbatohet programi i investimeve në një numër të konsiderueshëm të muzeve në gjithë vendin.

Gjatë këtij viti, sipas ministrit janë planifikuar disa ndërhyrje rinovuese në ndërtesat e institucioneve të kulturës.