Arbëri

Rahovec, inspektorët komunalë ndalojnë ekspozimin e mallrave nëpër trotuare

Komuna e Rahovecit ka dalë me një njoftim për subjektet afaristë që veprojnë brenda kësaj komune, që të lirojnë trotuaret nga ekspozimi i mallrave para lokaleve të tyre.

Nga kjo komunë u bë e ditur se inspektorët komunalë kanë dalë në terren për të ndaluar ekspozimin e mallrave para lokaleve dhe të vendosjes së frigoriferëve pa leje në hapësira publike.

“Me qëllim të lirimit të hapësirave publike dhe krijimit të kushteve për qarkullim të sigurt të këmbësorëve në trotuare si dhe ruajtjen e mallrave, duke u bazuar në Rregulloren Komunale për kriteret për vendosjen e objekteve të përkohshme në hapësira publike dhe ligjet tjera përkatëse, subjektet afariste të cilat veprimtarinë e tyre tregtare e zhvillojnë në pjesën urbane të qytetit dhe në zona rurale u ndalohet ekspozimi i mallrave para lokaleve si dhe vendosja e frigoriferëve pa leje në hapësira publike”, thuhet në njoftimin e komunës.

Më tej bëhet e ditur se ky aksion i Inspektoratit vjen si rezultat i bllokimit të trotuareve të cilët pamundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, njëkohësisht edhe për shkak të ruajtjes së produkteve të ndryshme ushqimore të cilat plasohen për shitje e nuk duhet të jenë të ekspozuara në hapësirat e jashtme.

“Drejtoria për Punë Inspektuese në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara ligjore për lirimin e hapësirave publike”.