Arbëri

Komuna e Gjakovës apelon te qytetarët të mos i braktisin qentë

Komuna e Gjakovës ka tërhequr vëmendjen të hënën se "qentë endacak mbesin njëri prej problemeve shqetësuese për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve".

"Kjo edhe përkundër faktit se Komuna e Gjakovës, përmes kompanive të kontraktuara, në vazhdimësi përkujdeset për kapjen, kastrimin dhe sterilizimin e tyre", thuhet në një adresim publik të komunës.

Ndikim të madh në shtimin e qenve endacak sipas komunës ka kryesisht braktisja e tyre.

"Prandaj, me qëllimin që rreziku nga qentë endacak të eliminohet sa më shumë që të jetë e mundur nga rrugët tona, në mënyrë që të ketë sa më pak qen që vuajnë në mungesë të ushqimit dhe në kushte të vështira klimatike, ju apelojmë që të mos i braktisni qentë tuaj", thuhet në një apel të komunës së Gjakovës.

Në adresimin e komunës rreth kësaj tematike tërhiqet vërejtja se braktisja e qenve endacak dënohet me ligj, deri në 5 mijë euro gjobë për ata që i braktisin.