Arbëri

Ish-kandidati i VV-së për kryetar të Kaçanikut emërohet drejtor i Prokurimit në Shtime

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka emëruar drejtor të prokurimit ish kandidatin për kryetar të komunës së Kaçanikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeton Raka.

Por, ende nuk e ka bërë publike këtë e as listën me emra të drejtorëve të tjerë.

Drejtori Raka e ka konfirmuar se tashmë është emëruar në detyrën e re anipse është nga një komunë tjetër.

E sipas opozitës, drejtori i prokurimit duhet të jetë i certifikuar nga Instituti i Administratës Publike, ndryshe nuk ka të drejtë të nënshkruajë asnjë kontratë. Sipas PDK-së në Shtime, ekzekutivi po vazhdon t’i mbajë të fshehur emrat e drejtorëve të drejtorive, duke i anashkaluar, sipas kësaj partie, kuadrot profesionalë të kësaj komune.

“Ndonëse pushteti lokal i udhëhequr nga Qemajl Aliu është vonuar në emërimin e drejtorëve komunalë ende nuk ka publikuar njoftimin zyrtar dhe nuk e ka kompletuar në tërësi emërimin e drejtorive dhe nënkryetarit të Komunës. Përmes këtij reagimi publik shprehim shqetësimin e kësaj vonese, por edhe më keq, emërimin e personave nga komunat fqinje, në këtë rast emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Prokurim nga komuna e Kaçanikut, Jeton Raka, ish-kandidat i VV-së për kryetar”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, kjo qasje tregon joseriozitet, papërgjegjshmëri dhe injorancë të tejskajshme ndaj qytetarëve të Shtimes, derisa sipas PDK-së dihet se në komunën e Shtimes ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i “dalë zot” kësaj pune.

“Edhe pse ekzekutivi është i ndërtuar mbi bazën e koalicioneve të shumë subjekteve politike në Shtime (LDK, AKR) nuk ka arritur të gjejë persona adekuatë brenda komunës dhe persona kompetentë të kualifikuar dhe kjo nuk vije si pasojë e asaj se në Shtime nuk ka njerëz, por qëllimi kryesor është rehatimi i militanteve partiakë të VV-së. Qytetari i Shtimes duhet të jetë prioritet i Komunës së Shtimes”, thuhet më tej në komunikatë.

KOHA ka kontaktuar me kryetarin Qemajl Aliu, por ai nuk ka dashur ta komentojë komunikatën e PDK-së. I pyetur se kur do të bëhet publike lista me emra të drejtorëve, ai ka thënë shkurt: “Akoma nuk e di”.

KOHA ka kontaktuar edhe me Jeton Rakën, i cili e ka konfirmuar se tashmë është në krye të Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Shtimes.

“Po jam në Drejtorinë e Prokurimit, është e konfirmuar”, ka thënë shkurt ai, derisa nuk i është përgjigjur pyetjes se a është i certifikuar për ta udhëhequr Drejtorinë e Prokurimit.