Arbëri

Banorët e Kaçanikut ankohen për mungesë të ujit

Descriptive Text

Për mungesë e cilësi të ujit të pijshëm vazhdojnë të ankohen qytetarët e Kaçanikut.

Në mungesë të ujit, ata thonë se po i shfrytëzojnë burimet natyrore në periferi të qytetit.

Me telashe të tilla u përballën edhe verës, derisa nga Komuna kërkojnë investime të reja, në mënyrë që të kenë ujë 24 orë në ditë.

Valdet Raka tregon se ujin për pije e bart nga një burim natyror, rreth një kilometër larg qytetit.

“Duke i pasur parasysh edhe analizat që janë bërë nga Qendra e Shëndetit Publik në Ferizaj, që nuk ka dalë të jetë i pijshëm dhe kjo ka qenë arsyeja që qytetarët të vijnë këtu që t’i mbushin bidonët e tyre”, ka thënë Raka.

Për bashkëvendësin e tij, Remzi Rekën, shqetësuese është që në mes të kësaj qyteze rrjedhin dy lumenj, Nerodimja e Lepenci, derisa qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm.

“Kemi jashtëzakonisht probleme të mëdha me ujin e pijshëm, sepse kemi lagje të tëra në Kaçanik brenda, por edhe fshatra që nuk kanë ujë të pijshëm. Por, edhe banorët që e kanë ujësjellësin, uji i pijshëm nuk është në cilësi dhe në nivelin e duhur”, ka shtuar Remzi Reka.

E kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se gjatë sezonit veror telashe më të mëdha kanë pasur disa fshatra përreth, por edhe qendra e qytetit. Ai zotohet për investime të reja në këtë drejtim.

“Kjo na ka bërë që të jemi më të përgjegjshëm dhe kemi filluar qysh në këtë fundvit me disa investime në Komunën e Kaçanikut që po shpresojmë të vazhdojmë edhe në vitet në vijim. Menjëherë pas thatësisë që kemi vërejtur në qytet e kemi aktivizuar një pus që ka qenë i paaktivizuar për shumë vite, gjë që e kemi rritur kapacitetin për dhjetë litra në sekondë. Po shpresojmë se deri në fund të vitit ta aktivizojmë edhe rezervuarin prej një milion litrash”, ka pohuar kryetari Ilazi.

Ilazi është zotuar se që nga fillimi i vitit të ardhshëm në bashkinvestim me nivelin qendror do ta nisin ndërtimin e fabrikës për përpunimin e ujit të pijshëm, i cili do t’i furnizojë disa fshatra përreth, por edhe qendrën e qytetit.