Arbëri

Komunat të pafuqishme ta përballojnë rritjen e çmimeve, kërkojnë balancim pagash

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, i tha Ekonomia Online, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mënyra që të ecet më tutje sidomos me balancimin e sistemit të pagave.

“Detyrimisht që do të ndikojë negativisht në të gjitha sferat e jetës në Kosovë. Dhe po shpresojmë që Qeveria e Kosovës do të gjejë mënyrë që të ecë më tutje sidomos me balancimin e sistemit të pagave. Ne tash e quajmë Ligji për pagat që është tepër me rëndësi mu mbrojt një gjë e tillë mirëpo duhet të shihen edhe aspektet që kanë të bëjnë me një inflacion që tashëm veç se shihet”, ka thënë Gjini.

Ndërsa, kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti ka thënë se kapacitet buxhetore të komunave nuk janë të mjaftueshme. Edhe pse thotë se do të përfillin rekomandimet e institucioneve qendrore, ai pohon se Qeveria duhet të ndërhyjë në këto raste, raporton EO.

“Nuk ka një analizë të mirëfilltë se sa do të ketë impakt të rritjes së çmimeve të produkteve. Megjithatë ne duhet t’i përballojmë vështirësitë me të cilat do të ballafaqohemi. Po besoj që kapacitet buxhetore të komunave nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë imputet edhe të dobësive që shfaqin ose të humbjeve që prodhohen me këto raste të pandemisë. Sido që të jetë komuna është e obligueshme të përfill rekomandimet e IKSHPK-së dhe të Qeverisë. Është problematikë e nivelit nacional kombëtar dhe çështje që është e adresuar në Parlament, Qeveri dhe nuk ka të bëjë me komunat”, ka thënë Ahmeti.

Muajve të fundit qytetarët e Kosovës janë përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të shumë produkteve bazike ushqimore dhe të shërbimeve. Pavarësisht kësaj, pagat nuk kanë pësuar ndryshime as në sektorin privat e as në atë publik. Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro./EO