Arbëri

Në Klinë fillon rregullimi i shtretërve të lumenjve “Drini i Bardhë” dhe “Klina”

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, sot kanë marrë pjesë në fillimin e punimeve në rregullimin e shtratit të lumit “Drini i Bardhë” dhe “Klina”.

Është ky një projekt shumë i rëndësishëm në Klinë që do të ndikoi në zhvillimin e turizmit, evitimin e vërshimeve e mbi të gjitha do të jetë edhe një zonë rekreative-shëtitore për qytetarët e Komunës së Klinës.

Sipas projektit të bashkëfinancuar nga Komuna e Klinës dhe MMPH-ja, planifikohet rregullimi i shtretërve të dy lumenjve që kalojnë nëpër qytetin e Klinës në gjatësi 1.6 km, për të cilin projekt janë paraparë të investohen 410 mijë euro. Pjesa e cila do të rregullohet fillon nga penda e fabrikës së ujit deri të “ Ura e Haxhisë” në fshatin Zajm të Klinës.

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, në ceremoninë e prerjes së shiritit, ka thënë se nga sot kjo pjesë do të merr një pamje shumë të bukur ku përveç kësaj do të evitohen vërshimet që kanë ndodhur në të kaluarën si dhe do të jetë një zonë rekreative për qytetarët e Klinës.

Ndërkaq, Ministri Shala, tha se sot po fillojmë punimet për rregullimin e shtretërve të lumenjve “Drini i Bardhë” dhe “Klina” të cilët janë projekte të financuara nga MMPH-ja në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Klinës, Sokol Bashota.

“Po fillojmë zbatimin e këtyre projekteve ngase ka shumë nevojë për rregullimin e shtretërve të lumenjve, evitimin e vërshimeve dhe rehabilitimin e atyre pjesëve që është e nevojshme”, ka thënë ai.

Sipas Ministrit Shala, rehabilitimi i lumenjve të Klinës nënkupton premisa të jashtëzakonshme zhvillimore në sektorin e bujqësisë, turizmit dhe sektorë të tjerë.