Arbëri

Burim Berisha emëron tre drejtorë të rinj, dy fshihen nga faqja zyrtare

Descriptive Text

Kryetari i rizgjedhur i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, i ka emëruar tre drejtorë të rinj për mandatin katërvjeçar. Por, dy prej tyre edhe pse ishin publikuar në ueb-faqen zyrtare të Komunës, tash nuk figurojnë aty.

Berisha fillimisht kishte emëruar drejtorin për Arsim, Samir Shahini, pastaj atë të Inspektoratit, Arbër Statovci dhe në fund drejtorin e Administratës, Amir Bullatovcin. Por, vetëm ky i fundit gjendet në vegzën “Lajmet” në ueb-faqen zyrtare, jo edhe dy të tjerët.

Ndërkohë, nëse shikohet te drejtoritë, aty shihen edhe drejtorë që kishin dhënë dorëheqje para zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor. Te Drejtoria e Administratës dhe ajo për Planifikim Urban nuk figurojnë fare emrat e drejtorëve. Në disa drejtori janë emrat e drejtorëve që kanë qenë gjatë mandatit të kaluar. Në ueb-faqe figuron si drejtoreshë për Arsim edhe Lindita Jashanica-Rrahmani, e cila ishte emëruar gjatë vitit 2021, por që kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë para zgjedhjeve të 17 tetorit.

Burim Berisha ka fituar mandatin e ri në balotazh. Ai bëri koalicion parazgjedhor me AAK-në që e ka vetëm një këshilltar komunal, ndërsa deri tash nuk ka treguar nëse do të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër, meqë LDK-ja i ka 10 këshilltarë komunalë nga 27 sa numëron Kuvendi i kësaj komune.

KOHA i ka adresuar pyetje Komunës së Fushë-Kosovës që nga 24 nëntori dhe i janë ripërsëritur më 9 dhjetor sa i përket koalicioneve, drejtorëve, etj, por deri tash nuk ka kthyer përgjigje.

Në balotazhin që u mbajt më 14 nëntor, Burim Berisha nga LDK mori 7 mijë e 978 vota ose 65.45 për qind, kurse Enver Bajçinca nga LVV 4 mijë e 212 vota ose 34.55 për qind.

Sa i përket Kuvendit Komunal, LDK-ja i ka 10 ulëse, LVV-ja 6, PDK-ja 4, IFKEA-ja 2 dhe me nga 1 këshilltar përfaqësohen LN-ja, PD-ja, NISMA, AAK-ja dhe GIS-i.