Arbëri

Mitrovica përfiton mbi 33 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza

Marrëveshje 19.8 dhe 13.5 milionë euro janë nënshkruar sot për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Mitrovicës, nga Ministria e Financave me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Investime, si dhe me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Projekti që bashkë-financohet nga këto dy institucione parasheh ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e rrjetit ekzistues.

“Rreth 213,000 qytetarë të Komunës së Mitrovicës pritet të përfitojnë nga ky projekt, përmes përmirësimit të kushteve mjedisore dhe shëndetit publik. Zhvillimi i këtij projekti infrastrukturor do të zvogëlojë ndotjen e mjedisit, veçanërisht në lumin Ibër. Projekti mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, me një grant prej 5 milionë eurosh përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në një komunikatë nga ministria.

Ministri Hekuran Murati tha se ky projekt e vendosë Kosovën një hap më afër Bashkimit Evropian duke kontribuar pozitivisht në përafrimin me kriteret mjedisore të BE-së, specifikisht Direktivës mbi Trajtimin e Ujërave të Ndotur Urban.