Arbëri

Rugovasit akuzojnë MI-në për mosriparimin e tërë rrugës deri në Kuqishtë

Segmenti rrugor i magjistrales M9 nga Peja deri në Kuqishtë të Rugovës ende nuk është riparuar në tërë gjatësinë e saj. Në muajin gusht, operatori i kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës për mirëmbajtjen njëvjeçare verore dhe dimërore të rrugës kryesore në Rugovë kishte nisur riparimin e rrugës me mbylljen e gropave nga Peja e lartë. Mirëpo, gropat e shumta janë mbyllur vetëm deri te kilometri i 17-të, respektivisht deri te “Ura e re” në fshatin Drelaj, e jo më tutje. Deri në fshatin Kuqishtë kanë mbetur edhe shtatë kilometra rrugë e dëmtuar me përplot gropa e asfalt të çarë, në të cilën nuk është intervenuar fare.

Pronari i kompanisë së kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, Jahir Lika i tha KOHËS se në atë rrugë është punuar në bazë të sasisë së planifikuar me kontratë për mbylljen e gropave. Lika pohoi se aq sa ka pas planifikim, aq edhe është realizuar.

“Për ta riparuar tërë rrugën deri në Kuqishtë me mbylljen e gropave, nuk kanë mjaftuar pozicionet e planifikuara me kontratë. Madje kemi mbyll më shumë gropa sesa që kanë qenë të planifikuara. Sikur të kishin qenë të planifikuara më shumë pozicione për mbylljen e gropave me kontratë, ne do t’i kishim realizu. Mirëpo ne i kemi pas të limituara pozicionet që janë të kontraktuara dhe ne duhet të punojmë në bazë të kontratës. Pra ne kemi kryer punë çka kemi pas me pozicione të kontraktuara”, ka thënë ai.

Për pjesën e mbetur të rrugës së pariparuar deri në Kuqishtë, ka reaguar përfaqësuesi i kësaj treve Agron Nikçi, i cili kritikoi Ministrinë e Infrastrukturës.

“Kjo është strategji e gabuar e ministrisë sa gropa duhet me u mbyll. Nuk ka rregullore me ditë edhe sa gropa bëhen. Është e nevojshme të investohet shumë më shumë në riparimin e kësaj rruge. Gropat shfaqen shpesh edhe në pjesët e rrugës ku riparohet”, është shprehur Nikçi.

Ai konsideron se inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës duhet të dalin në terren vazhdimisht dhe të investohet vazhdimisht në mbyllen e gropave, jashtë projekteve të mirëmbajtjes sezonale.

Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit në Departamentin e Menaxhimit të Rrugëve në MI, Malë Lokaj, ka pranuar se gjendja e rrugës është shumë e keqe.

“Ka nevojë shumë më shumë për ta përmirësuar gjendjen e saj. Rruga ka qenë dhe është në gjendje të degraduar tej mase. Ministria këtë vit ka shpallur tender për rehabilitim të kësaj rruge dhe jemi ne pritje të zhvillimit të procedurave”, ka thënë Lokaj.

Rruga Pejë-Kuqishtë është asfaltuar në vitin 2004. Asfaltimi i kësaj rruge të gjatë afër 25 kilometra kishte kushtuar rreth 2.4 milionë euro.