Arbëri

Akuzohet kryetari i PDK-së në Lipjan për keqpërdorim të buxhetit të partisë

Pas humbjes së PDK-së në Lipjan kanë vazhduar përplasjet brenda kësaj partie.

Së fundi ish-kandidatët për kuvend kanë vazhduar ta akuzojnë kryetarin e partisë, njëherësh ish -kandidatin për kryetar të Lipjanit, Hyzer Rizani, për keqpërdorim të buxhetit të partisë dhe mosdeklarim të shpenzimit dhe të të hyrave.

Ata po kërkojnë nga niveli qendror i PDK-së shkarkimin e kryetarit Rizani.

Ditë më parë KOHA ka raportuar lidhur me shqetësimet e kandidatëve për Kuvend për manipulim të votave nga komisionarët.

Ramiz Qeriqi, ish-kuvendar në dy mandatet e kaluara dhe ish-kandidat në zgjedhjet e 17 tetorit ka thënë se subjekti i tij ende nuk ka dalë me një analizë për humbjen e thellë në Lipjan. Ai e kritikon kryetarin e partisë Hyzer Rizanin, për keqpërdorim të buxhetit të partisë dhe për stimulim të disa kandidatëve për asamble.

“Kryetari Rizani, ka stimuluar kandidatët e caktuar me buxhet të partisë duke ua paguar vizitkartat dhe duka ua paguar shpenzimet tjera, ndërkaq pjesën tjetër e ka bojkotuar. Pra, një pjesë të kandidatëve i ka marrë pas vetës në shumë takime me qytetar për t’i prezantuar dhe për t’ia kërkuar votat. Përveç manipulimit me vota, kryetari Rizani ka keqpërdorur edhe buxhetin e partisë në nivelin qendror, pastaj nuk ka deklaruar ende për shpenzimet se ku kanë shkuar ato para dhe shumë para të tjera qoftë të bizneseve apo individëve”, ka kritikuar Qeriqi.

Ai ka sqaruar se më 17 tetor i ka hyrë garës për Kuvend për ta ndihmuar PDK-në dhe për t’i respektuar ish-bashkëluftëtarët e vet të cilët gjenden në Hagë.

“Unë e kam ditur se votat e mia janë vjedhur nga ky grup i kryesisë së PDK-së në Lipjan, por kësaj radhe nuk do të kisha hyrë në garë duke e ditur gjendjen dhe manipulimet që bëhen brenda kësaj partie me këta individ. Por unë jam futur në garë për hir të ish bashkëluftëtarëve të mi që gjenden në Hagë, të cilët janë edhe themelues të PDK-së. Prandaj niveli qendror duhet ta shkarkoi me urgjencë kryetarin Rizani”, ka thënë Qeriqi.

KOHA ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga kryetari i PDK-së në Lipjan Hyzer Rizani, por ai, nuk e ka hapur telefonin. Ndërkohë Rizani nuk u është përgjigjur as pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështje.

Ndërkaq, Lulzim Rrustemi, bartës i listës së PDK-së, njëherësh anëtar i kryesisë ka thënë se së shpejti do të mbahen takime të përbashkëta me struktura dhe bashkërisht do ta bëjnë një analizë të humbjes së zgjedhjeve. “Jemi në pritje të certifikimit të rezultateve dhe pastaj sigurisht që kryesia, dega me strukturat e veta e bënë një analizë të zgjedhjeve. Ndërkohë të gjithë sëbashku do të reflektojmë”, ka thënë shkurt Rrustemi