Arbëri

VV-ja në Drenas nuk mbështet asnjërin subjekt politik në balotazh

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Drenas, ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë asnjërin subjekt politik që garon në balotazhin e kësaj komune.

VV-ja vlerëson se votuesit duhet të vendosin vetë se si të veprojnë më 14 nëntor.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas nuk mbështet asnjërin subjekt politik që do të garojë në balotazh. Por, vlerësojmë që votuesit tanë të vendosin vetë se si do të veprojnë më 14 nëntor. Ne besojmë që votuesit e Lëvizjes në çdo rrethanë politike të krijuar, interesin e përgjithshëm qytetarë e kanë qëllim në mendje e dëshirë në zemër”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Megjithatë, VV-ja në Drenas premton se do të jetë opozitë e fortë në Kuvendin komunal të Drenasit.

“Opozitarizmi konstruktiv është detyra e jonë kryesore deri sa të kemi mundësinë për të qeverisur me Komunën e Drenasit”, thuhet në njoftim.

Në balotazhin e 14 nëntori, në Drenas garojnë kryetari aktual, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci dhe kandidati i “Demokratëve për Drenasin”, Driton Ajazi.