Arbëri

Qendra e vaksinimit në Prizren bartet në Qendrën e Mjekësisë Familjare

Qendra e Vaksinimit anti-COVID në Prizren është bartur nga Palestra e Sporteve tek Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Lakuriq”.

drejtuesve të Kujdesit Parësor Shëndetësor, zhvendosja është realizuar për shkak të uljes së temperaturave, rënies së numrit të të interesuarve për vaksinim, si dhe për ta liruar palestrën për nevojat e klubeve sportive. Ata kanë pohuar se deri më tani janë administruar mbi 130 mijë doza të vaksinave.

“Kemi menduar që është duke ardhur stina e dimrit, është e pamundur aty me funksionu në temperatura të ulëta, kështu që kemi kaluar këtu. Kemi 7 ekipe që punojnë paradite, 7 ekipe pasdite, i kanë dhomat e veçanta. Besoj që gjithçka do të shkojë mbarë”, ka thënë Narqize Arënliu-Hoxhaj, drejtoreshë e Shëndetësisë në Prizren.

Deri më tani, në Prizren, janë administruar 132 mijë doza të vaksinës ‘Pfizer’ dhe ‘AstraZeneca’.

“Me dozën e parë janë vaksinuar diku rreth 78 mijë, me dozën e dytë diku rreth 58 mijë, e cila në përqindje i bie me dozën e parë mbi 70%, me dozën e dytë afër 60%”, ka thënë Xhevat Elezkurtaj, drejtor i QKMF-së.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen dhe të mos kenë hamendësime në këtë drejtim për hir të mbrojtjes së vetes dhe të shëndetit publik.

“Pra edhe njëherë apelojmë tek qytetarët që vaksinimi mbron jetë, vaksinimi mbron edhe shoqërinë, prandaj edhe ata që kanë mbetur pa u vaksinuar mund të hyjnë në e-Kosova dhe shumë shpejtë e marrin terminin për vaksinim”, është shprehur Mytaher Haskuka, kryetar i Prizrenit.

Palestra Sportive “Sezai Surroi” në Prizren për disa muaj kishte mbetur pa të hyra vetjake, meqë ishte transformuar përkohësisht në qendër të vaksinimit. Për shkak të kësaj situate pushteti lokal e ka subvencionuar këtë kompleks sportiv me mbi 13 mijë euro.