Arbëri

Graçanica bën keqklasifikim të shpenzimeve

Komunarët e Graçanicës nuk e kanë bërë regjistrimin adekuat të shpenzimeve në disa kode buxhetore.

Mjetet për blerjen e materialit shëndetësor, që i takojnë mallrave dhe shërbimeve, ata i kanë regjistruar si subvencione dhe transfere. Këtë vërejtje e ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor për këtë komunë. Keqklasifikim të shpenzimeve kjo komunë ka bërë edhe kur e ka bërë regjistrimin e furnizimit me dru dhe pelet.

“Sipas nenit 18, pika 3 e rregullores 01/2013/MF për Shpenzimin e Parasë Publike, shpenzimet duhet të kenë kodet adekuate, të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për planin kontabël. Në planin kontabël të Thesarit janë përcaktuar kodet dhe kategoritë përkatëse të shpenzimeve që OB (organizatat buxhetore v.j.) duhet të aplikojnë”, shkruhet në raportin e Auditorit. “Pagesa në vlerë prej 23,750€ për furnizim me material shëndetësor për sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale (covid-19) ishte regjistruar në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve përderisa ky shpenzim i takon kategorisë së mallrave dhe shërbimeve përkatësisht kodit ekonomik për furnizime mjekësore. Po ashtu, edhe pagesat në vlerë totale prej 49,662€ për furnizim me pelet dhe dru ishin regjistruar në kodin ekonomik jo adekuat 13460 - shërbime kontraktuese tjera”.

Shkaku i kësaj, sipas ZKA-së, ishte mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes në zotimin e mjeteve në kategorinë përkatëse ekonomike.

“Pagesat e bëra nga kategoritë dhe kodet ekonomike joadekuate ndikojnë në keqklasifikimin e shpenzimeve duke mbivlerësuar/nënvlerësuar kategoritë përkatëse të shpenzimeve dhe rrjedhimisht në prezantim jo të drejtë të shpenzimeve në PFV-ve. Kryetari duhet të sigurojë se të gjitha shpenzimet regjistrohen në kategoritë dhe kodet përkatëse ekonomike”, shkruhet tutje në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur edhe mospërgatitje të raportit të inventarizimit para finalizimit të pasqyrave financiare vjetore në Graçanicë. Sipas raportit, vlera e paraqitur në PFV e pasurive kapitale është 20,289,475€, pasurive jokapitale është 332,650€, si dhe e stoqeve 4,949€. Auditori ka testuar 70 mostra për teste substanciale në vlerë prej 4,651,309€.

Image

Sipas Rregullores me Nr. 02/2013 ‘Për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore’, neni 19 paragrafet 4.6 dhe 4.7, kërkohet që komisioni i inventarizimit të përgatitë raportin për kryerjen e inventarizimit si dhe hartimin e raportit të përgjithshëm në bazë të raporteve individuale të komisionit për inventarizimin e pasurive jofinanciare në kohën e përshtatshme para përgatitjes se pasqyrave financiare vjetore.

“Ky proces duhet t’i paraprijë përgatitjes së PFV. Gjatë vitit 2020 komisioni për inventarizim të pasurive ishte formuar me vendim të kryetarit të komunës më dt.10.09.2020. Mirëpo, komisioni nuk kishte përgatitur ndonjë raport për gjendjen e inventarizimit para përgatitjes së PVF. Komisioni punën e kishte kryer me dt.08.02.2021 dhe me këtë datë e kishte përgatitur raportin. Shkaku përse ka ndodhur kjo është se komisioni nuk ishte në gjendje të ofrojë dëshmi se ka përfunduar punën sipas kërkesave ligjore”, ka vërejtur Auditori.

Mospërgatitja e raportit të inventarizimit brenda afatit të paraparë ligjor, sipas ZKA-së, ndikon që prezantimi i pasurisë në regjistrat e komunës dhe në pasqyrat financiare vjetore të mos jetë i saktë dhe i plotë, po ashtu rrezikon humbjen apo përvetësimin e pasurisë.