Ndërtimin e një objekti për ta, pas rrënimit të mëparshmit në kuadër të projektit “Bashkimi i qytetit” në Ferizaj, po e kërkon Shoqata e Pensionistëve në këtë qytet.
Për këtë gjë institucionet komunale kishin lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e shoqatës rreth dy vjet më parë, por deri më tash nuk ka lëvizur asgjë konkrete në këtë drejtim.
Nebih Mehmeti, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve në Ferizaj, i ka numëruar kërkesat që i kanë për zyrtarët.
“Kërkesa jonë është numër 1 që në afat të caktuar në bazë të vendimit dhe projektit që është paraparë të ndërtohet objekti në afat para 3 vjetëve. I kemi edhe 14 muaj kohë, andaj për neve është që të ndërtohet ashtu siç është dhënë propozimi dhe si është sjellë vendimi në Kuvendin Komunal”, ka thënë Mehmeti.
Pensionistët ankohen edhe për hapësirën e vogël në të cilën funksionojnë prej dy vjetësh.
“Fatkeqësisht në këtë kohë pandemie ne si pensionistë nuk kemi as terrasa meqenëse është e ndaluar në këtë kohë, mirëpo ne diku po duhet të vendosim, e tash siç po e shihni duke luajtur shah e domino. Për neve është i zvarritur si projekt, por në fund kanë dhënë premtime të mëdha se projekti do të fillojë”, ka thënë pensionisti Shukri Avdyli.
KOHA e ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje. E në Komunën e Ferizajt janë zotuar se ndërtimi i objektit do të realizohet brenda 3 vjetëve, në pajtim me marrëveshjen e nënshkruar.
“E kemi ndarë një parcelë jo larg nga vendi i mëhershëm, mirëpo nuk kemi nisur me procedurat e ndërtimit të objektit të ri sepse kemi qenë në bashkëpunim me disa donatorë të jashtëm që të ndërtohet një objekt shumë të mirë dhe që të kemi shpenzime më pak si komunë. Megjithëse këtë e kemi futur në buxhet prej para dy vitesh. Do të thotë është e buxhetuar për vitin e ardhshëm”, është shprehur Lulzim Aliu, drejtor për Urbanizëm në Ferizaj.
Sipas Aliut, nëse deri në vitin e ardhshëm nuk gjejnë donator, Komuna me buxhet vetjak në vlerë prej 350 mijë eurosh do t’i fillojë punimet rreth këtij objekti.
-
Nga: Agim Ademi
-
2 tetor 2021 21:31
-
Shpërndaje në: