Arbëri

Bie ndjeshëm numri i vaksinimeve ditore në Gjakovë

Komuna e Gjakovës qëndron lartë në listën e komunave me vaksinim të madh të popullatës, por interesimi për vaksinim po shkon gjithnjë në rënie. Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka njoftuar të shtunën për KOHËN se deri tani në Gjakovë janë administruar 83 mijë e 525 vaksina, 36 mijë e 266 persona me dy doza, ndërsa me një dozë 47 mijë e 256 qytetarë.

Por derisa para pak kohësh në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë vaksinoheshin mesatarisht nga 1200-1300 qytetarë, të premten në këtë qendër janë vaksinuar vetëm 270 persona.

Autoritetet në Gjakovë po përpiqen të organizojnë vaksinimin edhe nëpër objekte të QMF-ve në mënyrë që të rrisin numrin e të vaksinuarve. Megjithatë për këtë duhet leje edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Të shtunën drejtori i Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, Hilmi Shala ka thënë se ky spital i është kthyer normalitetit në punë, pas rasteve të shumta të mëhershme me COVID. Ai ka bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen dhe të mos lejojnë rikthimin e rasteve.

Qendra e Vaksinimit në Gjakovë po funksionon në sallën e sporteve të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Fehmi Agani”, por sipas drejtoreshës Afërdita Spahi-Shllaku ato nuk po pengohen nga njëra-tjetra pasi kanë hyrje të veçanta.