Arbëri

Kuvendi i Pejës miratoi buxhetin për vitin 2022

Descriptive Text

Në takimin e fundit të këtij legjislacioni, anëtarët e Kuvendit Komunal të Pejës, të enjten me shumicë votash kanë miratuar buxhetin për vitin 2022.

Shuma e përgjithshme e buxhetit për vitin e ardhshëm do të jetë 29 milionë e 252 mijë euro.

Nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar 9 milionë e 429 mijë euro.

Kjo shumë e planifikuar për vitin e ardhshëm për projekte të investimeve kapitale nga arka komunale, sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazajt do të rritet edhe për së paku një milionë euro tjera nga donacionet.

Planifikimi buxhetor për vitin e ardhshëm, sipas Abazajt, është bërë bazuar në kërkesat e qytetarëve në takimet për buxhet dhe shumica e kërkesave të tyre janë pothuajse të ngjashme si vitin e kaluar, ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe të asaj bujqësore.

Kurse nga pjesa tjetër e buxhetit të përgjithshëm, 14 milionë e 887 mijë euro do të shkojë në paga e mëditje, 3.7 milionë për mallra e shërbime, mbi 748 mijë euro për shërbime komunale dhe 531 mijë euro janë planifikuar për subvencione dhe transfere.