Arbëri

Opozita konteston veprimet e Komunës së Prizrenit në ish-zyrat e partive politike

Veprimet e qeverisë komunale të Prizrenit lidhur me pronat komunale që dikur janë shfrytëzuar si zyra të partive politike kanë ngjallur reagimin e opozitarëve, të cilët pretendojnë se në këtë rast ekzekutivi nuk i ka respektuar dispozitat ligjore në fuqi. Por, përfaqësuesit e qeverisë lokale kanë nënvizuar se veprimet e tyre në raport me këto prona bazohen në legjislacionin aktual dhe se të njëjtat po i kthehen komunitetit.

Komuna e Prizrenit në muajin prill të këtij viti pat ndërmarrë veprime për lirimin e pronave komunale që shfrytëzoheshin nga partitë politike prej shumë vitesh.

Kohë më parë, në rrjetet sociale, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se këto prona komunale tani po kthehen në shërbim të qytetarëve.

Kuvendari nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj ka vlerësuar se në këtë rast ka shkelje ligjore, pasi sipas tij pronat komunale që janë shfrytëzuar më parë nga partitë politike nuk janë pjesë e listës së veçantë të pronave që planifikohen për dhënien në shfrytëzim gjatë vitit 2021.

“Forma se si keni vepruar është shkelur Ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, sepse ato nuk janë votuar si listë në këtë KK. Në bazë të Udhëzimit Administrativ kërkohet një rregullore për mënyrën e dhënies së atyre lokaleve dhe ajo rregullore nuk është votuar në KK”, ka thënë Baldedaj.

Sipas tij, është e udhës që Sektori i Pronës në kuadër të Drejtorisë së Administratës të ofrojë sqarime publike se “në bazë cilave kritereve ka filluar investimi në këto prona komunale, që janë shfrytëzuar më parë nga partitë politike”.

“Nëse të tjerët kanë të drejtë me i marrë, pse s’paskan të drejtë partitë politike ti marrin ato në shfrytëzim?”, ka deklaruar Baldedaj.

Ai ka shprehur bindjen se pushteti aktual në Prizren ka vepruar në formën e njëjtë si pushteti i kaluar, kur pronën komunale e ka dhënë në shfrytëzim pa miratimin e vendimit në Kuvendin e Komunës.

Ndërkaq Sadije Osaj-Jakupi nga LDK gjatë seancës së fundit të KK-së ka pohuar se në ish-zyrat e LDK-së është vendosur mbishkrimi “Librari” dhe se në lokalin fqinj mbishkrimi “Artizanatet”. “Ju kanë caktuar titujt, por a janë dhënë ato lokale apo çka është bërë me to?”, ka pyetur ajo.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari ka bërë të ditur se në këtë rast nuk ka asnjë shkelje ligjore pasi këto prona nuk i janë dhënë askujt në shfrytëzim dhe se aty po zbatohen politikat publike të menaxhmentit të Komunës.

“Nuk i janë dhënë ato prona komunale askujt. Ato janë politika publike që kryetari i komunës i bën, dhe konsideroj se të gjitha ato edhe ish-zyrat e partive politike edhe pronat tjera janë pronë komunale”, ka thënë Hajdari, gjatë seancës së fundit të KK-së.

Sipas tij, në këto prona, Komuna ka obligim dhe detyrë që të investojë dhe ti rregullojë për të krijuar infrastrukturë, edhe për organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara.

“Edhe dy organizata do të vendosen në këto prona komunale, do të shfrytëzohen pa pagesë. Krejt ato janë pa pagesë, nuk ka individë që përfiton ose bën biznes aty”, ka deklaruar zyrtari i lartë komunal, duke pohuar se sqarimi i Zyrës ligjore për këtë çështje do t’i ofrohen kuvendarit opozitar.

Në seancën e pestë të rregullt të KK-së për vitin 2021, anëtarët e këtij organi nuk e kanë miratuar listën e veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës së Prizrenit që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2022. Kuvendarët opozitarë që përbëjnë shumicën në KK patën bërë të ditur se kundërshtimi i tyre për këtë propozim-vendim vjen si rezultat i veprimeve të mëhershme të Ekzekutivit lidhur me pronat komunale që janë shfrytëzuar nga partitë politike. Thirrjet e anëtarëve të kuvendit nga radhët e VV-së për miratimin e kësaj liste nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, me ç’rast në raste të caktuara ka pas edhe përplasje verbale mes kuvendarëve. Dafina Alishani e VV-së duke shprehur keqardhjen për devijimin e debatit në diskutime personale pati kërkuar votimin e listës me arsyetimin se këto prona në vitin 2022 nuk mund të jepen në shfrytëzim pa këtë vendim, dhe se mbeten të bllokuara si për bizneset ashtu edhe për OJQ-të. “Duke dashur që ti hakmerreni Ekzekutivit, po e pësojnë qytetarët”, pati thënë ajo.