Arbëri

Përplasen dy subjektet e ashkalinjve në Lipjan

Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës, dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim, dega në Lipjan kanë nisur përplasjet e tyre ndërmjet vete, derisa nuk arritën të bëjnë marrëveshje për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e 17 tetorit.

Gjatë përgatitjes së listës për asamble, fillimisht nuk kanë gjetur pajtueshmëri të përbashkët për bartësin e listës dhe për kandidatët tjerë me radhë, pastaj shqetësime ka pasur derisa subjekti i PAI-s, që drejtohej nga nënkryetari i Komunës Lulzim Qerimi, tashmë është renditur në krahun e LDK-së, ndërkaq subjekti tjetër PDAK, ende jozyrtarisht do ta përkrahë PDK-në në Lipjan.

Po ashtu përplasje dhe kundërshtime të tjera ka pasur derisa në listën e PAI-s janë futur edhe persona të komunitetit Turk.

Kadri Limani, Kryetari i degës së PDAK-së në Lipjan, nëpërmjet një reagimi ka thënë se në të gjitha komunat e Kosovës, ku gjenden komuniteti ashkali, këto dy subjekte janë bashkuar në një listë të përbashkët, por në Lipjan kjo nuk ka ndodhur. “PDAK-ja shprehim shqetësimin për përçarjen e komunitet Ashkali në Lipjan, nga individ të subjektit PAI, në krye me Lulzim Qerimin, i cili njëherësh mban pozitën e nënkryetarit te Komunës për komunitete. Ashkalit në tërë Kosovën do të garojnë bashkë dhe të bashkuar në këto zgjedhje lokale, përpos në Komunën e Lipjanit. E kemi ftuar Lulzim Qerimin, që të bashkohemi në një listë të përbashkët për ta ndihmuar Komunitetin Ashkanli, por ishte e pamundur që të arrihet një marrëveshje e tillë”, ka thënë Limani.

Sipas Limanit sjellja e kryetarit të PAI-së dhe komoditeti në komunë e bën atë të “Pakrahasueshëm”.

“Kemi kërkuar ndihmë edhe nga strukturat qendrore të PAI-së, që të ndikojnë tek kryetari i PAI-s në Lipjan, por ishte e kot. Tani e kemi kuptuar se kryetari i PAI-s Lulzim Qerimi po tenton që votën e ashkalinjve t’ia falë edhe komunitetit Turk, duke futur në listë individ të tillë. Kjo ka të bëj edhe me një precedent të ri, shkeljen e ligjit të zgjedhjeve sepse në listat e pakicave kombëtare nuk kanë të drejtë të hyn nga komunitet tjera”, ka kritikuar Limani.

Në anën tjetër, Koha ka kontaktuar edhe me kryetarin e PAI-s në Lipjan Lulzim Qerimi, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Komunës për komunitetin pakicë. “Jemi ne demokraci edhe secili ka të drejt të mendon siç dëshiron, nuk do të merrem me gjëra të tilla të ulëta. Tashmë ka kaluar kjo temë, jemi në prag të fushatës dhe me 17 tetor vendos sovrani”, ka thënë Qerimi. Ai ka bërë me dije se me këtë deklaratë nuk i përgjigjej reagimit të PDAK-së, por vetëm për interesimin e ngritur nga gazetari. “Në ditët në vijim do të sqarohemi për qëndrimet tona”, ka thënë shkurt Qerimi.