Arbëri

Hapja e 618 bizneseve të reja në Ferizaj në kohë pandemie nxit dyshimet e shoqërisë civile

Që nga muaji janar i këtij viti në komunën e Ferizajt janë hapur gjithsej 618 biznese të reja në fusha të ndryshme, megjithëse gjatë kohës së pandemisë shumë biznese janë detyruar të mbyllen.

Hapja e një numri kaq të madh të bizneseve në këtë qytet ka nxitur rrjetin e Organizatave Joqeveritare “Avonet” që t’i monitorojë ato se si do të zhvillohen dhe cilat janë arsyet konkrete të hapjes së tyre.

Kenan Gashi, thekson se kjo çështje krijon dilema se ato në mënyrë jo të drejtë mund të përfitojnë edhe nga pakot e rimëkëmbjes.

“Dilemat e tilla përveçse krijojnë një problematikë shqetësuese të themelimit të bizneseve, po ashtu e krijon edhe një qëndrim tjetër në natyrën e krizës reale, me të cilën po paraqitet nga bizneset. Kjo për ne do të jetë një prej rasteve që do të hulumtohet dhe do të monitorohet në vazhdimësi se si këto biznese do të jenë të qëndrueshme”, ka thënë Kenan Gashi, drejtor i kësaj OJQ-je.

Pronarët e bizneseve të reja nuk kanë dashur të flasin, ndërkaq Agon Zhinipotoku, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve në Ferizaj, ka thënë se ekziston një krizë financiare për bizneset.

“Në Ferizaj ka shumë biznese, shumë kafene që hapen në vazhdimësi dhe ne si shoqatë jemi në koordinim me institucionet Komunale që të bëhen lehtësira për bizneset e reja që regjistrohen zyrtarisht dhe për kafiteritë heqjen e pagesës për tarraca, pastaj taksat komunale si një ndihmesë diçka apo subvencione për biznese të reja përmes grandeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Zekir Bytyqi, ka thënë se Komuna e Ferizajt gjatë këtij viti është renditur e dyta në qendrën e regjistrimit për hapje të bizneseve të reja.

“Kjo që po ndodh në Komunën e Ferizajt është që shumica e bizneseve që kanë qenë në informalitet tani po legalizohen, po paguajnë tatime, po paguajnë taksa që kontribuojnë në zhvillimin e Republikës së Kosovës, por mos të harrojmë se qyteti i Ferizajt është duke u zhvilluar dhe është duke u rritur me statistika me numër të banorëve”, është shprehur ai.

Sipas Bytyqit, Komuna e Ferizajt me gjithsej 13 mijë biznese, arrin ta mbushë arkën e shtetit deri në 400 milionë euro brenda vitit.