Arbëri

Rialokimi i mjeteve të pashpenzuara hap rrugën për subvencionimin e lehonave në Prizren

Descriptive Text

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të enjten, kanë miratuar vendimin për rialokimin e rreth 2.5 milionë eurove, mjete këto të pashpenzuara nga investimet kapitale nga granti qeveritar dhe të hyrat vetjake për vitin 2021. Kjo vendimmarrje ka mundësuar më pas edhe miratimin e vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të datës 21 maj 2021 për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur, që ishte kontestuar nga niveli qendror. Sipas shpjegimeve të dhëna gjatë seancës së pestë të rregullt të këtij viti, për subvencionimin e prindërve të fëmijëve të porsalindur do të ndahen rreth 1 milion euro.

Drejtoresha për Financa, Leonora Çerreti, teksa ka kërkuar mbështetjen për rialokimin e mjeteve të pashpenzuara nga investimet kapitale, ka shpjeguar se në cilat kategori parashihet shpenzimi i tyre.

“Në këtë fazë, në pamundësi që të bëjmë rishikim të buxhetit, kemi bërë një analizë me drejtoritë për projektet ku ka nënshpenzime, që të bëhet ridestinimi i tyre. Në bazë të raporteve të pranuara nga drejtoritë janë rreth 2.5 milionë euro nga investimet kapitale që mund të mos shpenzohen. Për këtë arsye është paraparë rialokimi i 828 mijë euro në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, pastaj 1 milionë e 46 mijë euro në subvencione e transfere, prej të cilave 1 milion euro dedikohen për zbatimin e vendimit për fëmijët e porsalindur. Ndërsa 660 mijë euro shkojnë në investimet kapitale”, ka thënë Çerreti.

Kuvendari i PDK-së, Getoar Besimi, ka kërkuar sqarime nëse është llogaritur numri i fëmijëve të porsalindur, në mënyrë që shpenzimet të jenë adekuate dhe mjetet të mos shkojnë në suficit.

Drejtoresha Çerreti ka pohuar se sipas statistikave të lindjeve të marrë nga Spitali i Prizrenit, deri në fund të muajit gusht ka pasur 1089 fëmijë të porsalindur, dhe se deri në fund të vitit pritet që ky numër të shkojë në 1600 fëmijë të porsalindur.

Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se pushteti i VV-së në Prizren nuk e meriton përkrahjen e një vendimi të tillë, pasi që planifikimi i keq i buxhetit ka sjellë deri te nevoja për rialokimin e mjeteve buxhetore. “Por meqë kemi të bëjmë me një kërkesë të grave kuvendare, për hir të tyre, ne do ta mbështesim, ani pse e dimë që ky pushtet do ta keqpërdorë konstruktivitetin tonë”, ka deklaruar Hodaj.

Alush Shala i AAK-së ka kërkuar sqarime nëse kjo mbështetje do të aplikohet edhe në vitet e tjera, derisa kolegu i tij partiak, Ilir Baldedaj, ka theksuar se planifikimi i keq i buxhetit komunal edhe një herë dëshmon se Prizreni qeveriset prej “praktikantëve”.

Dafina Alishani nga radhët e VV-së ka pohuar se rialokimi i mjeteve mundëson zgjidhje afatshkurtër për mbështetjen financiare për fëmijët e porsalindur dhe ka kërkuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të figurojë kodi përkatës.

diskutimeve, propozimvendimi është vënë në votim, me ç’rast është aprovuar njëzëri nga këshilltarët prezentë, përkundër faktit që pjesa e parë e seancës ishte e tensionuar, ku opozita pas adresimit të pyetjeve pati lëshuar sallën gjatë përgjigjeve të ekzekutivit.

Miratimi i vendimit për rialokimin e mjeteve të pashpenzuara ia ka hapur rrugën ndryshimit dhe plotësimit të vendimit për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur, që ishte vlerësuar si i kundërligjshëm nga Qeveria e Kosovës.

“Vendimi i miratuar për mbështetjen e fëmijëve të porsalindur është kthyer për rishqyrtim nga MAPL-ja, me arsyetim se Komuna nuk ka pas planifikim të subvencioneve dhe nuk ka pas mjete të mjaftueshme. Tani bëhet ndryshimi i atij vendimi dhe plotësohet neni 2, ku përcaktohet se prej cilit fond sigurohen mjetet, në mënyrë që ky vendim të zbatohet”, është shprehur Çerreti, duke pohuar se për realizimin e tij janë siguruar 1 milionë euro. “Ndërkaq pjesa tjetër e vendimit mbetet e njëjtë”, ka thënë ajo.

Dafina Bllaca e PDK-së ka përkujtuar se propozimi për mbështetjen e lehonave ka qenë nismë e grave kuvendare dhe ka kundërshtuar qasjen e ekzekutivit të Prizrenit lidhur me këtë pikë.

“Sot drejtoresha thotë ne kemi gjetur mjete për financim. Në KPF në rend dite kishim anulimin e këtij vendimi, për mungesë buxheti”, ka deklaruar ajo, duke kërkuar korrektësi nga zyrtarët e qeverisë komunale. “Ju nuk e keni gjetur zgjidhjen, por në KPF ka qenë propozimi im që 1 milion euro të mos shpërndahen nëpër kategori, por të shkojnë për fëmijët e porsalindur, gjë që është përkrahur nga anëtarët e KPF-së”, ka thënë Bllaca.

Drejtoresha Çerreti ka arsyetuar se si janë përcaktuar mjetet për këtë destinim, derisa kuvendarja Sadije Osaj-Jakupi ka kërkuar që të nisë ekzekutimi i mjeteve dhe që kjo çështje të mos personalizohet, pasi, sipas saj, bëhet fjalë për një kërkesë të grave kuvendare.

Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badalli, ka lutur anëtarët e këtij organi që mos të zgjasin diskutimet, pasi sipas tij kjo çështje ka qenë pjesë e planit të punës së KK-së për këtë vit. Pas vënies në votim, edhe ky propozim është miratuar njëzëri nga anëtarët prezentë.