Arbëri

Në Prizren zbulohet shtatorja e heroit Selajdin Berisha

Shtatorja e heroit të kombit, Selajdin Berisha është zbuluar, të mërkurën, në sheshin e UÇK-së në Prizren, në 23 vjetorin e rënies së tij gjatë luftimeve në rajonin e Vërrinit. Ky manifestim është realizuar si pjesë e aktiviteteve të shënimit të Epopesë së UÇK-së në këtë rajon. Pos familjarëve, të pranishëm kanë qenë edhe bashkëluftëtarët e heroit, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, autoritetet komunale, përfaqësuesit e partive të ndryshme politike, sikurse edhe qytetarët.  

Sekretari i degës së OVL të UÇK-së, Isa Berisha ka vlerësuar se roli i heroit Selajdin Berisha gjatë luftës për liri ka qenë shumëdimensional. “Sala ka pasur rol të rëndësishëm si në furnizimin me armatim, por edhe në organizimin dhe masivizimin e UÇK-së”, ka thënë Berisha. Sipas tij, Selajdin Berisha është vrarë më 1 shtator 1998, si çlirimtar i devotshëm, bashkë me 12 shokët tjerë.   

“Në natën e 31 gushtit të vitit 1998, ushtria dhe policia e Serbisë të ndihmuar edhe nga mercenarët rusë ndërmarrin një ofensivë të madhe në rajonin e Vërrinit, ku me 1 shtator, rreth orës 7 të mëngjesit, fillojnë edhe granatimet e para mbi fshatin Lez, ku Sala me një pjesë të UÇK-së vendoset në Lez. Bashkëluftëtarët e këtij fshati e pranojnë luftën dhe fillon beteja e paparashikueshme, pasi që Serbia me gjithë atë arsenal të armatimit dhe me numër të madh të ushtarëve nuk arriti të depërtonte pa kaluar mbi trupat e kolosëve të këtij fshati. Edhe pse fillimisht gjatë luftimeve komandant Sala u plagos në krah, ai vazhdoi luftën deri në frymën e fundit, ku edhe ra në altarin e lirisë me 12 shokët tjerë të këtij fshati, për të mos vdekur kurrë”, ka deklaruar Berisha.

 

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se dëshmorët meritojnë përkujtimin për shkak të luftës së drejtë dhe të pastër për liri të UÇK-së. “UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, një luftë të pastër, një luftë për liri, një luftë me moralet më të larta. Prandaj këto vlera dhe gjithë dëshmorët e UÇK-së meritojnë të kenë vendin e tyre nëpër sheshet dhe vendet ku do ti përkujtojmë ata”, është shprehur Haskuka. Ai ka bërë të ditur se komandant Berisha kishte një personalitet me virtyte të larta njerëzore e patriotike dhe se ishte një sportist i dalluar, i cili dha shembullin se “si duhet të punohet, veprohet dhe të flijohet për atdheun”. Haskuka ka njoftuar se në kuadër të këtij projekti të realizuar nga Drejtoria e Administratës, është rregulluar edhe hapësira ku është vendosur shtatorja, që do të quhet “Sheshi i UÇK-së” dhe ku do të përkujtohet sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “e cila na ka mundësuar që sot ta gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë të pavarur”.

Ndërsa drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari ka deklaruar se shtatoret e tilla duhet të shërbejnë si përkujtues i dashurisë së heronjve ndaj atdheut.

“Janë shtatoret ato që na kujtojnë flijimin e dëshmorëve. Shtatoret janë ato sikur na kujtojnë të pathënat e heronjve, na kujtojnë porositë e shumta të mbetura në gjysmë. Historia e popullit shqiptar është përsëritur shumë. Urojmë që të mos përsëritet kurrë më. Le të shërbejnë këto shtatore për ata që flijuan për brezin tonë dhe për brezat që vijnë si një kujtesë e udhërrëfyes se si duhet atdheu deri në vetëflijim”, ka thënë Hajdari.

Në anën tjetër vëllai i heroit Selajdin Berisha, Zehadin Berisha ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti si dhe që kanë marrë pjesë në zbulimin e shtatores përkundër pandemisë, me ç’rast të pranishmit i ka porositur që para gjumit të pyesin veten për kontributin e dhënë për Kosovën.

Gjatë ditës për nder të 23 vjetorit të Epopesë së UÇK-së në Vërri janë realizuar edhe disa aktivitete, si homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, homazhe te shtatorja e dëshmorit Xhevat Berisha, dhe homazhe pranë lapidareve në Kushnin e Lez. Aktivitete përkujtimore do të ketë edhe në ditët në vijim.   

{gallery}