Arbëri

Pushteti dhe mjekët e Gjakovës të alarmuar me situatën me COVID, qytetarët jo edhe aq

Dy ditët e fundit kanë vdekur 8 persona me COVID-19 nga Komuna e Gjakovës. Dy ditë më parë Gjakova ka qëndruar në krye të rekordit të zi të vdekjeve nga Covid-19 në shkallë vendi, ku nga ky qytet ishin 7 të vdekur në mesin e 36 personave nga e gjithë Kosova.

Nga kjo komunë kanë vdekur ditëve të fundit dy gra të moshës 20 vjeçare nga virusi vrastar, ndërkohë që dje është varrosur edhe një 32-vjeçar nga kjo komunë, që po ashtu humbi betejën me COVID.

Për ta nxjerrë një konkludim rreth numrit të madh të vdekjeve dhe vdekjes së grupmoshave të reja nga Gjakova, Dr. Hilmi Shala ka thënë për KOHËN se duhet një studim shkencor para se të flitet. Por Shala, i cili është drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë "Isa Grezda", ka kërkuar mobilizim për ta parandaluar dhe luftuar virusin COVID-19.

"Vaksinim, maskë, higjienë, distancë, respektim strikt të masave", ka kërkuar Dr. Shala.

Ai ka bërë me dije se Gjakova ka qenë ndër 3 komunat më të suksesshme në vaksinim në shkallë vendi.

Flamur Fetahaj, nënkryetar i Komunës së Gjakovës ka thënë për KOHËN se gjendja alarmante në Kosovë e në veçanti në Komunën e Gjakovës i ka mobilizuar të gjitha strukturat komunale por edhe qytetarët gjakovarë.

"Është dashur më herët të ketë këso masa për të mos ardhur në këtë situatë por edhe tani, duke marrë parasysh situatën alarmante, ne po punojmë maksimalisht, me një mobilizim e përkushtim të jashtëzakonshëm në funksion të parandalimit dhe të luftimit të virusit vdekjeprurës", ka thënë Fetahaj.

Nënkryetari Fetahaj i cili ushtron edhe detyrën e drejtorit të Inspektoriatit, ka bërë me dije se gjatë natës së kaluar inspektorët në terren kanë shqiptuar 7 gjoba për mosrespektim të masave.

"Realisht qytetarët janë duke i respektuar masat në masë të madhe", ka theksuar ai.

Fetahaj është ankuar për mungesë terminësh për vaksinim dhe kjo sipas tij e hendikepon angazhimin e strukturave të gjera në këtë funksion.

Kryeinfermierja Makfirete Berisha nga Qendra e Vaksinimit në Gjakovë ka thënë për KOHËN të martën se ekipi i vaksinimit është në krye të detyrës. Për sot ajo ka bërë me dije se janë 537 termine për vaksinim, ndërkohë që sipas saj terminet për këtë qendër janë të rezervuara deri më 7 shtator. Berisha ka bërë me dije se për personat që kanë bërë termine Qendra e Vaksinimit i ka vaksinat në dispozicion.

Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini ka thënë se në këtë qendër deri para pak kohësh janë kryer nga 1700 vaksinime në ditë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nystret Gjurkaj ka deklaruar për KOHËN se policia e Gjakovës po punon me përkushtimin më të madh në zbatimin e masave anti-covid, në interes të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Ai ka thënë se gjatë punës po haset edhe në kundërshtime e pakënaqësi aty-këtu, por jo në pengesa të pakalueshme.

"Ka aty-këtu ndonjë kundërshtim e pakënaqësi por policia është e vendosur dhe kërkon nga qytetarët e bizneset të respektojnë masat", ka thënë Gjurkaj.

Ndërsa qytetarët e Gjakovës, si kudo në Kosovë, siç kanë mendime të ndryshme rreth pandemisë-Covid-19, edhe veprimet i kanë të tilla. Disa nga ata kanë dalë me maska, por të shumtë janë edhe pa to.

"Masat e vendosura nga Qeveria për mbrojtje ndaj COVID-19 nuk janë duke u respektuar në mënyrë të kënaqshme bazuar në faktin që shumica nuk po e mbajnë maskën, e as nuk po e respektojnë distancën nëpër ambiente të mbyllura", ka thënë për KOHËN, qytetarja Rrezarta Mustafa, e cila përpiqet strikt t'i respektojë rregullat e vendosura. "Respektimi i masave është i domosdoshëm duke e parë se sa raste te vdekjes kemi javët e fundit dhe se si spitalet janë të mbingarkuara. Sipas mendimit tim situata e krijuar është gjendje lufte. Më shumë se kurdoherë duhet kujdesur. Nuk luhet me jetë. Asnjë aheng, e asnjë kënaqësi nuk matet me vlerën e jetës së njeriut prandaj është domosdoshmëri që të respektohen masat në maksimum", ka theksuar Mustafa.

Një i moshuar që kishte dalë me biçikletë në rrugë për të kryer disa punë, thotë se duhet dëgjuar fjala e mjekëve.

"Doktorët kanë kryer shkollë për këtë punë dhe ata e dinë më mirë se ne, fjala e tyre duhet dëgjuar dhe respektuar", thotë ai, duke folur pa e hequr maskën.

Në një grup të rinjsh, shumica nga ata pa maska, në qendër të qytetit, ka folur vetëm njëri, duke u lutur të mos fotografohet.

"As që më intereson për virus, tek e fundit një vdekje kemi me e ba, na tranuan me propagandë, au virusi, au virusi, qysh o shkru kemi me vdek", thotë ai.

Sipas të dhënave të 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm "Isa Grezda" në Gjakovë, janë trajtuar 139 pacientë për Cocid-19. Të konfirmuar pozitivë me COVID-19 sipas të dhënave janë 111 pacientë, 80 prej të cilëve janë me oksigjeno-terapi. Katër pacientë ndërkaq, 2 me respirator dhe 2 me CPAP maskë janë në gjendje më të rëndë.

Drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala ka bërë me dije se aty ka në dispozicion shtretër të mjaftueshëm për momentin, 175 shtretër, dhe në rast nevoje mund të rritet ky numër. Ai ka bërë me dije po ashtu se ka edhe ilaçe dhe oksigjen të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

{gallery}