Arbëri

Komuna e Gjakovës më 2022 ka në dispozicion 9 milionë euro për investime kapitale

Komuna e Gjakovës po mban këto ditë dëgjime buxhetore nëpër lokalitete të ndryshme, në kuadër të informimit të qytetarëve për potencialet buxhetore dhe planifikimet për shpenzimin e këtij buxheti në vitin 2022 si dhe marrjen e informatave mbi nevojat e qytetarëve.

Takime me këtë tematikë deri tani janë bërë në fshatrat Skivjan, Hereq, Dujakë, Planqor, Osek, Bec, Cërmjan, Molliq e Sheremetaj.

Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, i shoqëruar edhe nga drejtorë të tjerë komunal në lokalitete të ndryshme, ka bërë me dije se Komuna e Gjakovës për vitin 2022 ka në dispozicion 27 milionë e 800 mijë euro, nga të cilat 9 milionë i ka të dedikuara për investime kapitale, në projekte të ndryshme në interes të qytetarëve.

Sipas tij, kjo është shuma më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë në investime kapitale.

Banorët e Molliqit dhe Sheremetajt kanë kërkuar nga komuna përfundimin e tërësishëm të pjesës së mbetur të infrastrukturës rrugore, investimet në penda dhe kanale të ujitjes, ndriçim publik e të tjera.

Në Bec e Cermjan është kërkuar që me buxhetin e vitit 2022 të investohet në ndriçim publik, kanalizim, e kanale të ujitjes, ndërkaq qytetarët e Skivjanit dhe fshatrave të rrethinës janë shprehur se kjo pjesë më së tepërmi ka nevojë për investime në rrjetin e kanalizimit dhe në përkrahje të sektorit të bujqësisë.