Arbëri

Buja e Selimi në Lipjan pushojnë aktivitetin për zgjedhjet e 17 tetorit

Descriptive Text

Shukri Buja e Fitim Selimi si dy figurat më të rëndësishme të PDK-së në Lipjan, kanë vendosur që mos të merren me aktivitet gjatë fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit.

Buja e Selimi që njihen edhe si themelues të PDK-së në Lipjan prej kohësh asnjëherë nuk janë parë as në zyrat e partisë. Pakënaqësitë e tyre ndaj kryetarit aktual të degës në Lipjan, Hyzer Rizani dhe disa anëtarëve të tjerë, vazhdojnë të jenë edhe publike në opinion që nga procesi i fundit zgjedhor brenda partisë.

Selimi ka thënë për KOHËN se kryetari aktual i degës Hyzer Rizani i cili është kandidat për kryetar të Lipjanit në zgjedhjet e 17 tetorit, kishte manipuluar me procesin e brendshëm të zgjedhjeve më 2019. “Procesi zgjedhor i kurdisur për t’i përjashtuar kontribuuesit dhe për t’i instaluar automatet nuk premton rezultat, andaj me ekipe aspak serioze, krejtësisht të papërgatitura që nuk janë në gjendje të avokojnë për vlera të mirëfillta për të cilat në themelim është përcaktuar PDK-ja, nuk jam në gjendje të marrë përgjegjësi”, ka thënë Selimi. Ai ka bërë me dije se “Jam njeri nder anëtarët e PDK- së që do të ndihmoj ngase PDK , nëse jo sot, nesër do të dëshmohet si vlerë më e nevojshme për vendin”, ka shtuar Selimi.

Po ashtu edhe Shukri Buja anëtar i PDK-së i pyetur nga koha se a do të merrej me aktivitet për ta ndihmuar PDK-në , ai ka thënë se “Jo, tash për tash”. “Unë jam vetëm anëtar pa asnjë funksion dhe pa detyra partiake”, ka thënë shkurt Buja. Më tej i pyetur se prej kohës nuk është parë në zyrët e PDK-së në Lipjan, ndoshta kjo për shkak se nuk po i pëlqejnë anëtarët e kryesisë, ai ka thënë se “Jo në politikë nuk nisem nga pëlqimi por nga funksionaliteti dhe detyrat”, ka thënë Buja.

Koha prej dy ditësh ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga kryetari aktual i PDK-së në Lipjan Hyzer Rizani, por ai nuk ka qenë i qasshëm.