Arbëri

Komunitetet rom, ashkali e egjiptian të Prizrenit po vaksinohen në lagjet e tyre

Pjesëtarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian që jetojnë në rrugën “Nusret Seharsoj” në Prizren të hënën ia kanë mësyrë Shtëpisë së Takimeve në lagjen e tyre për vaksinim. Me durim kanë pritur ardhjen e ekipeve shëndetësore. Fillimisht nga organizatorët kanë pranuar numrat rendor në një copë letre, me qëllim të shmangies së tollovive. Pas arritjes së punonjësve shëndetësorë ka nisur edhe procesi i imunizimit anti-Covid.

Disa pjesëtarë të moshuar të komunitetit kanë pyetur nëse vaksina ka efekte anësore. Por shumica tjetër pa hezitim janë drejtuar kah dhoma përkatëse për vaksinim. Sipas organizatorëve vetëm në dy orët e para të imunizimit rreth 100 pjesëtarë të komunitetever rom, ashkali e egjiptian të kësaj pjese të qytetit të Prizrenit janë paraqitur për të marrë vaksinën anti-Covid.

Subjekti politik “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës” ka njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë organizuar vaksinimin masiv për qytetarët e këtyre komuniteteve, në lokalitetet ku ata gravitojnë, me qëllim që të lehtësohet imunizimi për komunitetet rom, ashkali e egjiptian.

Banori i kësaj lagjeje të Prizrenit, Jasir Misini ka pohuar se ai është vaksinuar dhe i ka bërë thirrje bashkëqytetarëve që mos të hezitojnë, por të vaksinohen për hir të ruajtjes së shëndetit publik.

"Ka pas prej komunitetit tim dhe prej komuniteteve të ndryshme hezitim, për shkak se ka pasur shumë lajme të rreme dhe tani LPRK-ja ka organizuar një iniciativë të tillë për vaksinim masiv në lagjen tonë për të treguar se vaksina nuk shkakton efekte anësore”, ka thënë Misini.

Ai ka pohuar se kjo nismë do të mbulojë edhe pjesët tjera të qytetit, në mënyrë që ti ofrohet mundësia e vaksinimit gjithë pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian që jetojnë në Prizren.

Ndërsa aktivisti nga radhët e komunitetit, Sylejman Elshani ka pohuar se mëdyshjet rreth vaksinimit kanë ekzistuar, prandaj është ndërmarrë nisma që vaksinimi të realizohet në lagjet ku gravitojnë pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian. Sipas tij, interesimi i banorëve të rrugës “Nusret Seharsoj” gjatë ditës ka qenë në nivel të duhur.

“Deri para disa ditëve ka pas hezitime, ku ka pas mëdyshje a me marrë apo jo vaksinën. Mirëpo shumica e pjesëtarëve që gjenden nëpër vende të punës, në institucione apo kompani të ndryshme janë obliguar që të vaksinohen, për tu mbrojtur nga Covidi. Për atë arsye edhe tash është rritur numri për me marrë vaksinën”, ka deklaruar Elshani.

Ky aktivitet për vaksinimin e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian nga lagjet tjera të Prizrenit do të vazhdojë edhe të martën dhe të mërkurën në zyrat e subjektit politik “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.

Elshani ka shpjeguar se në dy ditët e ardhshme do të vaksinohen banorët rom, ashkali e egjiptian të lagjeve: Bazhdarhane, Qyt Mahallë, Jeni Mahallë, Jeta e Re, Arbanë dhe gjithë pjesëtarët tjerë që shprehin interesim për imunizimin anti-Covid.