Arbëri

Së shpejti funksionalizohet granti i katërt për komuna

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se kërkesa e tyre për formimin e grantit të veçantë për komuna do të funksionalizohet së shpejti.

Sipas AKK-së, granti i katërt për komuna ka për qëllim që niveli qendror t’i kanalizoj mjetet financiare për komuna përmes këtij granti.

“Sot në takimin e përbashkët të AKK-së, Ministrisë për Financa, Pagesa e Transfere dhe akterëve të tjerë u vendos që ky grant të përfshihet në projektligjin e Financave të Pushtetit Lokal. Takimi pati për qëllim përfshirjen në projektligj të grantit të katërt për komunat, siç është kërkuar edhe nga komunat përmes AKK-së”, thuhet në një postim të AKK-së në Facebook.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, theksoi që ky grant është shumë i rëndësishëm për komuna dhe realizimi i këtij granti për pushtetin lokal në Kosovë do jetë ndihmesë e madhe .

Ky grant do të përdoret për financimin e projekteve kapitale të komunave, sipas përzgjedhjes së qeverive lokale, për zhvillim të gjithanshëm në sektorët si: turizmi rural, inovacioni, sportet, trashëgimia kulturore, arti, infrastruktura publike, sistemet e ngrohjes qendrore, furnizimi me ujë të pijshëm, mbarështimi dhe ripërtëritja e hapësirave të dëmtuara dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Tashmë për komunat do të jenë katër grante, ai i përgjithshëm, granti për arsimi, për shëndetësi dhe tashmë ky granti i katërt për investime kapitale publike.