Arbëri

Rritje e interesimit të lipjanasve për vaksinim

Qendra e Vaksinimit në Lipjan javën e kaluar e ka thyer rekordin e saj me administrimin e 520 vaksinave, krahasuar me mesataren ditore prej 350.

Por, vonesë në proces të vaksinimit sipas koordinatorit të kësaj qendre paraqesin verifikimi elektronik i personelit për paraqitje në punë dhe bartja e përgatitja e materialeve për vaksinim.

“Orari për vaksinim në Qendrën e Vaksinimit në Lipjan, zakonisht sipas Ministrisë së Shëndetësisë është 7 në mëngjes, mirëpo për shkak të pamundësisë për të ardhur në 7 në mëngjes, vijmë rreth orës 7 e 30. Për shkak se ne të gjithë punëtorët që jemi punëtorë të QKMF-së duhet së pari të shkojmë në QKMF, të lajmërohemi atje me bexh në mënyrë digjitale, ta bëjmë përgatitjen e boksave të vaksinave, shiringave, por ato janë në atë ambulantë ku qendra e vaksinimit është larg qendrës së Lipjanit”, ka thënë Izer Sinani, koordinator i Qendrës së Vaksinimit në Lipjan.

Qytetarët e vaksinuar në pasditen e së martës janë shprehur të kënaqur me ecurinë e procesit.

“E kam caktuar terminin përmes telefonit-online edhe sot e kam pasur terminin nga ora 13. Jam lajmëruar. Çdo gjë ka shkuar në rregull. U vaksinova. Bëj apel që edhe të tjerët ta shfrytëzojnë rastin dhe të vijnë të vaksinohen, se është në të mirën e shëndetit tonë në përgjithësi”, ka thënë Xhelil Murati, qytetar.

Interesimi i tyre, sipas Izer Sinanit, është në rritje, gjë për të cilën synojnë t’i rrisin ekipet mjekësore të qendrës.

“Duke e parë të arsyeshme që është rritur numri i qytetarëve për vaksinim ne do ta rrisim edhe ekipin e vaksinimit, ku në ndërrimin e paradites do ta shtojmë edhe një mjek dmth (v.j. do të bëhen) pesë mjekë dhe në ndërrimin e pasdites po ashtu edhe dy mjekë domethënë katër mjekë”, ka shtuar Sinani.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinimin e qytetarëve, pasi që profesionistët shëndetësorë kanë paralajmëruar për përhapjen e variantit Delta të koronavirusit në Kosovë. MSh-ja ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 17.322 vaksina, por nuk ka bërë ndonjë njoftim nëse është duke u shqyrtuar nisja e vaksinimit fundjavëve në nivel vendi.