Arbëri

Gjakova intensifikon bashkëpunimin me komunën simotër të Fort Dodge në Iowa të SHBA-së

Descriptive Text

Një delegacion i komunës Fort Dodge nga shteti Iowa i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i prirë nga kryetari i komunës Matt Bemrich, udhëheqësi i sektorit të Ekonomisë dhe Inxhinierisë Chad Schaeffer si dhe presidenti i Universitetit Qendror të Iowas Dr. DanKinney, këto ditë janë duke qëndruar në komunën e Gjakovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Komuna e Fort Dodge dhe ajo e Gjakovës janë binjakëzuar vitin e kaluar, ndërsa kjo vizitë në Gjakovë po bëhet me qëllim të ngritjes dhe fuqizimit të bashkëpunimit në mes të dy komunave në fushat ku të dyja palët mund të gjejnë interes të përbashkët, transmeton Koha.net.

Të shoqëruar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, nënkryetari Armend Vokshi dhe zyrtarë tjerë të komunës, delegacioni amerikan gjatë ditës së sotme ka vizituar disa nga institucionet dhe organizatat lokale, për të marrë kështu një pasqyrë më të qartë të jetës dhe zhvillimeve në komunën e Gjakovës.

Më tutje thuhet se delegacioni amerikan ka qëndruar në Brigadën e Zjarrfikësve, ku nga afër është njoftuar me kapacitetet e ndërhyrjeve dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo brigadë. Në takim të drejtpërdrejtë me zjarrfikësit gjakovarë, mysafirët nga Amerika kanë thënë se sektorit të emergjencave dhe shpëtimit duhet t’i kushtohet vëmendje e posaçme, prandaj edhe kanë premtuar se do të shikojnë mundësitë që të sigurojnë dhe të sjellin ndihma në pajisje të ndryshme për fikje të zjarrit si dhe kërkim – shpëtim për zjarrfikësit.

Mysafirët nga qyteti Fort Dodge kanë qëndruar në Hapësirën Krijuese “Bone Vet”, nga ku kanë dalë të ngazëllyer me kapacitetet e të rinjve të Gjakovës në sferën e teknologjisë dhe inovacionit teknologjik, thuhet në komunikatë.

“Ata janë njoftuar nga afër edhe me të kaluarën dhe të tashmen e industrisë gjakovare, pasi radhazi kanë vizituar fabrikat e “Elektromotorit”, “Metalikut” dhe “Jatex-it”. Në takim me menaxhmentin e këtyre fabrikave, zyrtarët e SHBA-ve janë shprehur të zhgënjyer për gjendjen e rëndë në të cilën aktualisht ndodhen këto asete ekonomike të Gjakovës. Ata, pos që kanë premtuar sjelljen e investitorëve potencial për ndërmarrjet që mund të ofrojnë kapacitete prodhuese, gjithashtu kanë premtuar edhe se do të ndikojnë tek ambasada e SHBA-ve që kjo të ndikojë tek institucionet qendrore të Kosovës për zgjidhjen e shpejtë të kontesteve që AKP-ja ka me Shoqëritë Aksionare të Gjakovës”, thuhet në komunikatë.

Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës në Gjakovë, zyrtarët e komunës së Fort Dodge-s kanë thënë se kjo komuna sikurse edhe Gjakova kanë shumë të përbashkëta, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e përbashkët të të dy komunave.

{gallery}