Arbëri

PDK-ja zyrtarizon Lushtakun kandidat për kryetar të Skenderajt

Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar Sami Lushtakun si kandidat për kryetar të Skenderajt, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Zyrtarizimi është bërë sot në një ceremoni të mbajtur në këtë qytet.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti Lushtakun si një nga protagonistët e luftës për çlirim dhe kryetar të ardhshëm të Skenderajt.

"Jam i nderuar që jam sot në mesin tuaj, në qytetin që i ka dhënë Kosovës një burrështetas si presidenti Hashim Thaçi, njeriu që ka shënuar epokën e Kosovës së lirë e të pavarur, i cili së bashku me kryetarin Kadri Veseli dhe bashkëpunëtorë të tjerë, jo vetëm që përmbyllën projektin kombëtar të çlirimit, por edhe të pavarësisë dhe shtetndërtimit. Jam i nderuar të jem këtu me një nga protagonistët e luftës sonë për çlirim, njeriun tuaj, njeriun e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin e ardhshëm të Skenderajt, Sami Lushtakun", tha Krasniqi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Skenderajt që ta përkrahin edhe kësaj herë kandidatin e PDK-së.

"Unë jam shumë i nderuar dhe krenar që qytetarët e Skenderajt tash e 20 vite e mbështesin fuqishëm PDK-në. Jam krenar që edhe këto zgjedhje qytetarët e Skenderajt të bashkuar do të festojmë fitoren e madhe të radhës në tetor dhe do të vazhdojmë projektet për vazhdimin e zhvillimit të Skenderajt", tha Lushtaku.

Ai ishte më herët kryetar i Skenderajt, por në zgjedhjet e kaluara nuk mori pjesë.

PDK-ja në zgjedhjet e kaluara përkrahu kandidaturën e pavarur të Bekim Jasharit, i cili pritet të jetë një prej konkurrentëve të Lushtakut edhe në zgjedhjet e vjeshtës.