Arbëri

Haskuka akuzon opozitën për qasje bllokuese, opozita pushtetin për dështim

Afrimi i datës së zgjedhjeve komunale ka ndikuar në ashpërsimin e debatit politik ndërmjet përfaqësuesve të ekzekutivit të Prizrenit dhe partive opozitare. Përderisa këta të fundit e kanë akuzuar lidershipin komunal për dështim në qeverisje gjatë katër vjetëve të shkuar, në anën tjetër menaxhmenti i Komunës ka reaguar duke akuzuar opozitën për bllokim, sidomos në Kuvendin e Komunës.

Në këtë debat, pas pretendimeve të adresuara nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ndaj PDK-së, LDK-së e AAK-së, të premten është përfshirë edhe dega e LDK-së në Prizren, duke theksuar se qeveria aktuale komunale “do të mbahet në mend për qeverisjen e dështuar e të korruptuar”.

“Si rezultat i dështimit total në qeverisje, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i nervozuar me vështirësitë dhe pengesat që i janë vënë brenda partisë për ta fituar të drejtën e rikandidimit, ka kapur shkopin e po i fshikullon gjithkujt që po i bie në mend. Pas sulmit që i bëri shoqërisë civile, tash shigjetat i ka drejtuar mbi grupet e kuvendarëve opozitarë”, thuhet në komunikatën e LDK-së, ku theksohet se kjo parti po bëhet gati që me Anton Qunin dhe me mbështetjen e qytetarëve ta marrin drejtimin e komunës, sepse, vlerëson ky subjekt, Prizreni dhe prizrenasit mezi po presin t’i japin fund këtij cirku katërvjeçar.

“Prizreni nuk e ka merituar një qeverisje të tillë dembele, jokreative e të paaftë, që nuk punon asgjë dhe që për dështimet e veta shikon e tenton ta gjejë fajtorin diku tjetër. Sipas Haskukës, gjithkush dhe gjithçka ishte dhe është kundër tij, por assesi ai dhe bashkëpunëtorët e tij të korruptuar e hajna, që përveç vjedhjes gjë tjetër nuk kanë sjellë në dritë. Ky pushtet do të ikën i turpëruar e do të mbahet në mend për qeverisjen e dështuar e të korruptuar dhe më dembelen që nga paslufta”, shkruan në komunikatën e degës së LDK-së.

Ky reagim i LDK-së ka ardhur pas video-adresimit të kryetarit Haskuka në rrjetet sociale drejtuar qytetarëve, me ç’rast ka theksuar se nuk e dinë se si “kanë fytyrë këta të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të flasin për Prizrenin, kur kanë shumicën në KK dhe e bllokojnë çdo iniciativë që ka të bëjë me të mirën e komunës sonë”. Ai ka shtuar se në tre vjetët e fundit këto parti nuk e kanë votuar rishikimin e buxhetit, që sipas tij bëhet për të evituar suficitin dhe pastaj flasin për të.

“Demagogëve u është bashkuar edhe reperi me refrene për suficit”, ka thënë Haskuka, duke aluduar në kryetarin e ri të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili të enjten është shprehur kritik për qeverisjen e VV-së në Prizren.

Krahas kësaj, Haskuka ka theksuar se partitë opozitare nuk po e votojnë vendimin për parcelizimin në Zonën Ekonomike.

“Në mbledhjen e fundit të Asamblesë, gjithë asamblistët janë nënshkruar për pagesën e mëditjes, por kur në rend dite ka ardhur pika për vendimin për ‘Ndryshimin dhe Plotësimin-Riparcelizimin e Planit Rregullues Urban për shpalljen e zonës së veçantë për Industri të Lehtë - Parku i Biznesit’, ata e lëshuan sallën dhe e lanë pa kuorum”, është shprehur Haskuka.

Para kësaj paraqitjeje të kryetarit të Prizrenit, drejtuesi i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, duke e akuzuar këtë të fundit për degradim të qytetit të vjetër. Katër vjetët e shkuar Krasniqi i ka vlerësuar si të humbura për mundësitë që i ka Prizreni, sidomos në aspektin ekonomik.

"Kjo tregon për një anemi totale të qeverisjes lokale, e cila nuk i ka ndihmuar as bizneset, nuk i ka ndihmuar as të rinjtë, as iniciativat që kanë mundur t’i japin një bum zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Krasniqi.

ai ka theksuar se e tërë kjo ka të bëjë me modelin qeverisës të LVV-së.

model të qeverisjes e shihni në Prizren e keni parë më parë edhe në Prishtinë. Është një qeverisje anemike, apatike, joefikase, e cila identifikohet kryesisht me suficit buxhetor”, është shprehur kreu i PDK-së, për ta quajtur të turpshëm suficitin prej 20 milionë eurosh për një mandat, duke marrë parasysh nevojat dhe problemet ekzistuese në këtë komunë.

Sipas tij, ky model ekziston edhe te qeveria qendrore.

“Këtë model qeverisës po e shohim edhe në nivel nacional. E shohim një kryeministër që po bën pushime ekskluzive qe një javë në Greqi, në kohën kur i kemi 1500 qytetarë të Deçanit të helmuar”, ka thënë ai, duke shprehur bindjen se kjo gjendje do të ndryshojë me ardhjen e Shaqir Totajt në krye të udhëheqjes së Komunës së Prizrenit.

Koalicioni qeverisës i LVV-së në Prizren prej vitit të shkuar pati humbur shumicën në Kuvendin e Komunës, pas shkëputjes së partneritetit me LDK-në. Para LDK-së, koalicionin qeverisës në Prizren e kishte braktisur edhe Nisma Socialdemokrate.